Sistemi Informativ i Tregut të Punës në ndihmë të punëkërkuesve
Sistemi Informativ i Tregut të Punës nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) në bashkëpunim me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe e përkrahur nga Projekti për Punësimin e të Rinjve (EYE)- projekt ky i SDC-së, është lansuar sot.
Ky sistem ka për qëllim të sigurojë informacione lidhur me punësimin dhe karrierën për studentët, të papunët, punëkërkuesit, prindërit, si dhe këshilltarët për karrierë duke mbledhur një sërë të dhënash nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (rreth regjistrimit të popullsisë, Anketa e Fuqisë Punëtore), nga MASHT (statistikat e arsimit), MPMS (të papunësuarit e regjistruar, përfituesit e asistencës sociale, vendet e lira të punës etj), nga Administrata Tatimore (shifrat zyrtare të punësimit), MTI (regjistri i bizneseve) në një platformë të përbashkët që do të ofrojë informacione të përditësuara mbi trendin dhe tendencat në tregun e punës në Kosovë.
Ministri i Punës dhe Mirëqenie Sociale Skender Reçica tha se ky sistem do t’i përfshijë të gjitha informatat e tregut të punë s dhe do të lehtësojë punën për ofrimin e trajnimeve profesionale.
“Lansimi i sistemit informativ të tregut të punës ku do të grumbullohen të gjitha informatat e tregut të punës duke përfshirë edhe modulin e orientimit në karrierë do na lehtësojë rrugën që të ofrojmë trajnime profesionale duke u bazuar në nevojat e tregut të punës si dhe shkollave të mesme profesionale që të hartojmë kurrikula përkatëse sipas nevojave të tregut”, tha Reçica.
Zëvendës përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Kosovë, Alessandra Roccasalvo theksoi rëndësinë që sistemi do ta ketë në të ardhmen duke thënë se pas krijimit këto të dhëna duhet të shfrytëzohen për të siguruar qasje për të gjithë qytetarët e Kosovës.
“Bota ka prodhuar më shumë të dhëna vetëm gjatë vitit 2017, sesa në tërë historinë paraprake të njerëzimit. Pra, të dhënat janë atje. Ne vetëm duhet t’i kemi mjetet dhe njohuritë për t’i shfrytëzuar dhe për të siguruar qasje gjithëpërfshirëse në këto të dhëna për qytetarët. Prandaj unë jam i lumtur që jam këtu me shumë nga partnerët tonë në lansimin e Sistemit Informativ të Tregut të Punës – një mjet i shkëlqyeshëm për të ndihmuar politikëbërësit, sektorin privat, si dhe studentët dhe ata që hyjnë në tregun e punës për të bërë zgjedhje të drejta”, tha Roccasalvo.