Sistemi i drejtësisë me Taskforcë dhe trup monitorues të strategjisë së krimeve të luftës

Ka përfunduar takimi koordinues në mes të krerëve të sistemit të drejtësisë së Kosovës për themelimin e Taskforcës dhe Trupit monitorues të Strategjisë së krimeve të luftës.

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, pas takimit me dyer të mbyllura deklaroi se qëllimi i këtij takimi ka qenë fillimi i implementimit praktik të stërgjisë së krimeve të luftës, e cila është hartuar me 21 shkurt 2019.

“Meqenëse kjo parasheh objektiva, këto kërkojnë që institucionet kanë obligime të strategjisë. Mekanizmi i parë është krijimi i një Taskforce që do ta analizojë çështjen e resurseve për ta mbështetur departamentin e krimeve të luftës. Mekanizmi i dytë do të monitorojë implementimin praktik të strategjisë. Tashmë kemi emra konkret dhe në mbledhjen e radhës pritet t`i miratojmë”, tha Hyseni.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, deklaroi se janë dakorduar që të kenë një Taskforcë e cila do të merret me logjistikën analizimin dhe ekspertiza.

“Qëllimi është që të rritet efikasiteti në hetimin dhe akuzimin e këtyre kryesve të veprave penale, nga ata që kanë dhënë urdhër brenda armatës Jugosllave, por edhe të atyre individëve. Jemi dakorduar që të kemi një Taskforcë e cila do të merret me logjistikën analizimin dhe ekspertiza. I kemi përcaktuar objektivat për trajtimin e disa masakrave më të mëdha që kanë ndodhur në vitet 98-99. Jemi dakorduar që edhe dikush nga BE të përcjellë monitorimin dhe të na ndihmojë në zgjidhjen e këtyre rasteve. Jemi dakorduar të bashkëpunojmë sipas mundësive me Tribunalin e Hagës, pasi atje ka prova dhe dëshmi”, tha Kryeprokurori Lumezi.

Ndërsa Abelard Tahiri, Ministri i Drejtësisë, tha se me ndryshimet e Kodit të Procedurës penale pritet që të ketë gjykime të personave të akuzuar edhe në mungesë të tyre.

“Ishte një takim i një rëndësie tejet të veçantë. Tashmë kam propozuar kodin e procedurës penale ku ndër propozimet ka qenë edhe gjykimi në mungesë. Është e rëndësishme të kalojë kjo predispozitë”, deklaroi ai.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj tha se hetimi i krimeve të luftës është mjaft kompleks.

“Policia do të ketë rol kyç, në hetim, mbrojtje të dëshmitarëve, për hetimet për të zhdukurit”, tha Qalaj.