Aleppo, Siri

Sirianët Investojnë në Bosnjë Pavarësisht Luftës në Atdhe

Investimet siriane dhe libiane kanë vazhduar të rriten në Bosnje pavarësisht luftërave të ashpra në të dyja vendet, tregojnë të dhënat nga Banka Qendrore e Bosnjës.

Të dhënat e marra nga BIRN gjithashtu tregojnë se proporcioni i kapitalit që po futet në Bosnje nga vendet e Gjirit është rritur, me 81% të investimeve të huaja direkte, të cilat e kanë origjinën nga ky rajon në nëntë-mujorin e parë të 2016.

Në vitin 2013, sirianët përbënin 610,000 euro në investimet e huaja direkte në Bosnje. Në 2014, shifra u rrit me 1.18 milionë dhe në 2015 arriti 1.74 milionë euro.

Libianët investuan 410,000 euro në Bosnje në 2014, ku ajo shifër arriti në 460,000 në 2015.

Siria është përfshirë në një luftë civile shkatërrimtare që nga viti 2011, ku janë përballë presidenti Bashar al-Assad dhe fraksionet rebele, përfshirë Shtetin Islamik, ISIS.

Libia u zhyt në luftë në vitin 2014, pas rënies së ish-diktatorit Muammar Gaddafi që la një vakum pushteti, që solli luftë mes grupeve rivale për pushtet.

Banka Qendrore e Bosnjës, tha për BIRN se nuk mund të japë të dhëna para vitit 2012 apo për të gjithë vitin 2016.

Një ekspert tha për BIRN se tregtia siriane me Bosnjën ishte vazhduar pas fillimit të luftës në dy mënyra kryesore.

Së pari, disa sirianë që jetonin apo studionin në Bosnjë kanë qëndruar në vend, duke formuar grupe si Shoqata e Kongresit Social të Sirianëve, udhëhequr nga Sherif Hakimi. Disa prej tyre kanë investuar paratë në biznese në Bosnjë, tha për BIRN analisti ekonomik Zlatko Hurtiç.

Të dhënat nga Dhoma e Tregtisë me Jashtë në Bosnje tregojnë se importet e tekstilit nga Siria kanë  vazhduar edhe gjatë vitit 2015, kur 17 ton tekstile me vlerë prej rreth 57.000 euro mbërritën në Bosnjë. “Siria ka qenë një nga eksportuesit kryesorë të pëlhurave të tapicerisë”, tha Hurtiç.

“Falë rritjes së industrisë së mobilieve në Bosnje, importet nga Siria janë në rritje. Por ky ritëm është ngadalësuar tani pasi shumë prej këtyre fabrikave ishin nga rajoni Alepo,” shtoi ai, duke iu referuar qytetit sirian të shkatërruar nga konflikti.

Raportet sugjerojnë se shumica e fabrikave në zonën e Alepos janë zaptuar nga rebelët. Disa nga pronarët e fabrikave janë të detyruar të paguajnë ryshfete të majme që të lejohen të vazhdojnë punën.

Forcat pro-qeveritare të Assadit rimorën qytetin vitin e kaluar pas një rrethimi të gjatë dhe pas luftimeve ku mbetën të vdekur dhjetëra mijëra njerëz.

Asnjë import tekstili nga Siria nuk është regjistruar në vitin 2016. Faresh Shehabi, kreu i Dhomës së Industrisë në Alepo, tha për LA Times në nëntor: “Po operojmë me 10 për qind të kapacitetit.”

Ndërkohë, të dhënat Dhomës së Tregtisë me Jashtë tregojnë se Bosnja ka eksportuar produkte druri dhe sapun me vlerë rreth 300,000 euro në Siri.

Të dhënat e Bankës Qendrore tregojnë se investimet nga vendet e Gjirit përbënin afërsisht 81 për qind të të gjitha investimeve të huaja direkte në Bosnje në 9-mujorin e parë të vitit 2016.

Rreth 33.2 milionë euro janë investuar në Bosnjë nga vendet e Gjirit gjatë kësaj periudhe krahasuar me 30.3 milion në të gjithë vitin 2015.

Një total prej 10.3 milionë kanë ardhur nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe 9.9 milionë nga Arabia Saudite.

Ndërkohë investimet në Bosnje nga vendet e tjera të botës kanë rënë, që do të thotë se pesha e investimeve të huaja direkte nga vendet e Gjirit u rrit.