Sindikatat mbështesin heqjen e 1 Majit nga lista e ditëve të pushimit

Sindikatat e punës në Kosovë mbështesin propozimin e deputetit të Partisë Demokratike, Nait Hasani për të hequr nga lista e festave zyrtare 1 majin, Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.

Përfaqësuesit sindikalë thanë për BIRN se ata mbështesin nismën e deputetit Nait Hasani për të hequr disa festa nga lista zyrtare e vendit, duke përfshirë edhe Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.

Kreu i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë, Blerim Syla, tha për BIRN-in se kjo iniciativë së pari duhet të miratohet nga Kuvendi i Kosovës, por argumentoi se 1 Maji është një relikt i epokës jugosllave.

“Në shumicën e vendeve evropiane kjo nuk është një festë zyrtare dhe nëse qëllimi ynë është të bashkohemi me Evropën, kjo duhet të bëhet në vendin tonë … kemi ardhur nga sistemi komunist i ish-Jugosllavisë dhe ne ishim mësuar të kishim një ditë pushimi më 1 maj”, tha Syla.

Ai shtoi se nuk duhet të ketë ankesa për ndryshimin nëse kjo ndodh.

“Duhet të kemi reagime për të kërkuar të drejtat tona, jo për një ditë pushimi,” tha ai.

Mursel Zymberi, kryetari i Sindikatës së Shërbyesve Civilë, tha se organizata e tij gjithashtu mbështet propozimin, duke argumentuar se 1 maji ‘u trajtua më shumë si një festë që nga paslufta, nga sistemi i mëparshëm i ish-Jugosllavisë”.

1 Maji duhet të jetë “më shumë se një protestë që kërkon të drejtat e punëtorëve” dhe jo një festë, tha Zymberi.

Avni Ajdini, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, tha gjithashtu se fakti që Kosova shënon 1 Majin si një festë është “një sindrom të keq që ka mbetur nga e kaluara”.

Ai gjithashtu argumentoi se 1 Maji duhet të jetë një ditë proteste për të drejtat e punëtorëve, siç janë “kërkesat për paga, kushtet e punës, sigurimet shëndetësore, pensionet dinjitoze, lejen e lindjes dhe shumë kërkesa të tjera”.

Një përfaqësues i Grupit Anarko-Sindikalist të Prishtinës, i cili kërkoi të mos përmendet me emër, vuri në dukje se 1 Maji ishte fillimisht një përkujtim i një proteste për punëtorë në Çikago më 1886.

“Për ne nuk ka rëndësi nëse është një festë zyrtare apo jo, ne do të jemi në rrugë [duke protestuar] … Është me të vërtetë e rëndësishme për ne që të kemi një ditë të dedikuar për punëtorët dhe revoltën e tyre”, tha ai.

Përfaqësuesi shtoi se në ish-Jugosllavi shteti e portretizoi veten si respektues i të drejtave të punëtorëve, “por në të njëjtën kohë, Jugosllavia gjithashtu shkeli të drejtat e punëtorëve në mënyra të ndryshme”.

Ai argumentoi se ky koncept u trashëgua nga Kosova, por “tani ata duan ta heqin këtë sepse ekziston një lloj dominimi ideologjik neoliberal në të cilin punëtori … ekziston si një individ i cili ka vlerë monetare në ekonominë e tregut”.

“Një logjikë e tillë është shumë problematike, siç është edhe nisma e Nait Hasanit,” shtoi ai.

Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve është një festë publike në Kosovë sipas Ligjit për Festat Zyrtare. Është gjithashtu një festë në shumë vende të tjera anembanë botës, duke përfshirë të gjitha shtetet e Ballkanit.