Sindikata e PTK-së paralajmëron grevë

Negociatat e vazhdueshme për ndërprerjen e kontratës 10 vjeçare në mes të Telekomit të Kosovës kanë shkaktuar pakënaqësi te punëtorët e kësaj ndërmarrje.

Sindikata e Postës dhe Telekomit të Kosovës ka paralajmëruar grevë të përgjithshme të punëtorëve nëse Telekomi nuk shkëput të gjitha lidhjet me kompaninë Z Mobile.

Ata kanë thënë se nëse nuk do të publikohet vendimi që ndalon çfarëdo kontrate të re me Z- Mobile deri më 22 korrik, ata do të aktivizojnë këshillin grevist, ndërsa nëse kërkesat e  tyre nuk plotësohen atëherë do të hyjnë në grevë të përgjithshme me datën 29 korrik.

“Kuvendi i FSP-PTK mori këto vendime: Pasi kontrata aktuale me Z-Mobile skadon me 30 korrik, Menaxhmenti dhe Bordi i Drejtorëve të Telekomit të Kosovës deri me datën 22 korrik 2019 të bëjnë publike njoftimin kundër çfarëdo kontrate të re me Z-Mobile si dhe ta njoftojnë ARKEP-in me këtë vendim; 2. Nëse deri me 22 korrik 2019 nuk publikohet njoftimi kundër çfarëdo kontratë të re me Z-Mobile, atëherë me datën 23 korrik 2019 FSP-PTK do ta aktivizojë këshillin e saj grevist; 3. Nëse kërkesa jonë nuk plotësohet, me datën 29 korrik 2019 fillon greva e përgjithshme e FSP-PTK, gjatë së cilës ne do të vazhdojmë t’i kryejmë të gjitha obligimet tona për t’u ofruar shërbime konsumatorëve tanë të VALA, por pas datës 30 korrik nuk do t’u ofrohet më asnjë shërbim konsumatorëve të Z-Mobile. Për të gjitha konsekuencat e mundshme si pasojë grevës, FSP-PTK nuk do të jetë përgjegjëse”, thuhet në komunikatën e sindikatës”, thuhet në komunikatën e tyre.

Ky reagim i sindikatës së postës vjen pasi kompania Z- Mobile ka dërguar Postën dhe Telekomin te përmbaruesi për mbi 25 milionë euro.

Njoftimin për dërgimin e postës te përmbaruesi e ka bërë Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, ka njoftuar se kreditorit “Dardafon.net LL.C” Telekomi i Kosovës i obligohet t’ia paguajë 25 milionë euro.

Ai ka paralajmëruar se kjo shumë është e papërballueshme për pagesë nga vetë Telekomi në këtë moment.

“Telekomi i Kosovës njofton të gjithë palët e interesit dhe vetë Dardafon.net (Zmobile), se në këtë gjendje në të cilën ndodhet, gjasat janë minimale për të kryer një transaksion të kësaj vlere. Telekomi i Kosovës do të ndjek të gjitha rrugët dhe mjetet ligjore, që të prapësohet ky Propozim Përmbarim. Poashtu do të njoftohet edhe në mënyrë zyrtare vetë Aksionari për këtë rast”, thuhet në njoftimin e Istrefit.

Borxhi milionësh dhe negociatat për kontratën

Ndërmarrja publike dhe Z Mobile kishin nënshkruar marrëveshje në janar të vitit 2009 me të cilën Z Mobile bëhej operator virtual i Telekomit.

Mospajtimet mes këtyre palëve përfunduan në Arbitrazh. Si rrjedhojë, këtë vit, 10 vite pas marrëveshjes, Telekomi gjendet para një borxhi rreth 26 milionë eurosh ndaj Z Mobile.

Më 4 maj të këtij viti kompania Z Mobile ka paralajmëruar kompaninë publike Telekom se do ta dërgojnë borxhin prej rreth 26 milionë euro në përmbarim.

Në atë situatë, Kryesuesja e bordit të Telekomit tha se borxhi mund të kushtëzojë edhe vazhdimin e kontratës me Z Mobile.

Më pas Z Mobile shtyu afatin për pagesë deri më 15 qershor 

Telekomi i Kosovës tani po synon të hyjë në kredi për të paguar borxhin ndaj biznesit të Blerim Devollit, Z-Mobile.

Në këto momente, Z Mobile e ka jetësuar paralajmërimin dhe ka inicuar procedurë të përmbarimit ndaj Telekomit.

Arbitrazhi 

Kontesti në mes të kompanisë “Dardafon” dhe ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës zanafillën e ka në marrëveshjen e lidhur më datë 16 janar 2009. Marrëveshja parashihte që “Z-Mobile” të jetë operator virtual i telefonisë mobile “Vala”.

Mospajtimet në mes të dy palëve nisën kur “Z-Mobile” kërkoi numeracion shtesë, pra më shumë se 200 mijë numra sa i ishin ndarë në fillim.Mospajtimet përfunduan në Arbitrazh. Në vitin 2015, “Z-Mobile” (Dardafon) iu drejtua Arbitrazhit pasi pretendonte se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.

Tribunali i Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike Ndërkombëtare sipas padisë së kompanisë “Z-Mobile”, më 9 dhjetor 2016 vendosi në favor të kësaj kompanie. Sipas vendimit të Arbitrazhit, Telekomi i Kosovës obligohej që t’i alokonte numeracion shtesë “Z-Mobile”-it, si dhe t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G. E për dëmin e shkaktuar, Arbitrazhi e obligonte Telekomin që t’i paguante rreth 30 milionë euro gjobë në emër të shpërblimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së Arbitrazhit.