Sindikata e Judikaturës pezullon grevën

Sindikata e Judikaturës së Kosovës, Këshilli Prokurorial, Këshilli Gjyqësor si dhe Ministria e Drejtësisë, përmes një komunikate, kanë njoftuar se greva e paralajmëruar për të hënën (1 korrik), do të mbetet e pezulluar deri më 1 tetor të këtij viti.

Kryesuesit e dy Këshillave, Skënder Çoçaj dhe Bahri Hyseni, bashkë me Ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri, sot janë takuar me përfaqësuesit e Sindikatës së Judikaturës së Kosovës.

Në komunikatë thuhet se qëllimi i takimit ishte diskutimi i kërkesave të Sindikatës së Judikaturës, drejtuar të dy Këshillave dhe Ministrit të Drejtësisë, e të cilat kanë të bëjnë me statusin e administratës së gjykatave dhe prokurorive.

Tutje është sqaruar se palët janë pajtuar që të punojnë së bashku me përfaqësuesit e Sindikatës, për hartimin e dokumentit për sistematizim e vendeve të punës sipas Ligjit të ri për pagat.

Më pas të përfundojë procesi i rikthimit të stafit administrativ-teknik në shërbyes civilë, si dhe të bëhen përpjekje për realizimin e pagesës së shtesës prej 50 eurosh nga 1 janari 2019, siç është bërë deri më tani.

Andaj edhe pas arritjes së pajtueshmërisë për këto pika, përfaqësuesit e Sindikatës së Judikaturës së Kosovës konfirmuan se greva e paralajmëruar do të mbetet e pezulluar deri më 1 tetor 2019.