Evakuimi i qytetarëve nga rajoni i Batllavës, Foto: Kallxo.com

Simulimi i zhvendosjes së banorëve nga FSK pas rrezikut të përmbytjes në Batllavë

Në ditën e dytë të ushtrimit fushor ‘Shqiponja 6’, FSK së bashku me ushtarët e 7 shteteve aleate dhe KFOR-it do t’i sprovojë aftësitë e tyre në kryerjen e detyrave.

Në xhirimet ekskluzive të KALLXO.com shihet se sipas skenarit, në ditën e dytë do të simulohet krizë në rajonin e Batllavës.

Si rezultat i reshjeve të vazhdueshme niveli i ujit në liqen është rritur dhe është afër kalimit të digës. Në mënyrë që mos të ketë dëmtime edhe më të mëdha, zyrtarët kanë hapur kanalin dhe kanë lejuar sasi të mëdha të ujit të dalin në lum. Si rrjedhojë e kësaj disa lagje të fshatrave afër liqenit janë të rrezikuara nga përmbytja dhe banorë të shumtë duhet të zhvendosen.

Disa rrugë janë bllokuar dhe kanë filluar të shfaqen pakënaqësi te qytetarët. Në zonat e prekura janë shfaqur grupe kriminale me qëllim të vjedhjes së pasurive të qytetarëve të zhvendosur. Që ushtrimi fushor të mos jetë kaq i thjeshtë, komanda madhore rëndon situatën edhe pak më shumë. Raportet inteligjente të ‘Shqiponja 6’ paralajmërojnë se grupi kriminal ‘Pandora’ ka shtuar aktivitetin në rajonin e prekur dhe kanë sulmuar një patrullë të Policisë.

Një numër i luftëtarëve të huaj, pjesëmarrës në luftërat e Lindjes së Mesme me ndihmën e grupit kriminal ‘Pandora’, do të kalojnë kufirin dhe do të ketë furnizim me armë dhe eksploziv. Qëllimi i këtyre grupeve mendohet të jetë organizimi dhe kryerja e akteve terroriste ndaj institucioneve të sigurisë dhe infrastrukturës kritike shtetërore.

Një ditë më herët, në ditën e parë të ushtrimit fushor ‘Shqiponja 6’, 700 ushtarë janë dislokuar dhe janë vendosur në kampin fushor në Koliq.

Ky është episodi i dytë i serisë së emisioneve speciale për FSK-në, të realizuara nga KALLXO.com.

Më poshtë mund të gjeni xhirime ekskluzive të realizuara nga KALLXO.com në bashkëpunim me FSK-në kuadër të ushtrimit fushor ‘Shqiponja 6’.