
Sillet me Forcë në Gjykatë dhe Lirohet nga Akuza
Daliborka Rakiq u soll me forcë në gjykatë por nga atje doli e fituar.
E akuzuara për mosraportim dhe raportim të rremë të pasurisë u la e lirë pasi Prokurorja Merita Lumezi hoqi dorë nga aktakuza e ngritur në prill të vitit të kaluar.
Rakiq në zgjedhjet komunale të vitit 2013 është zgjedhur asambliste në Kuvendin Komunal të Zubin Potokut dhe pak muaj më pas ndaj saj filluan hetimet për shkak të mosdeklarimit të pasurisë.
Shqyrtimi kryesor në rastin ndaj asamblistes së Zubin Potokut u dha sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Në dy seancat e mëparshme ajo kishte munguar prandaj gjykatës nuk i kishte mbetur udhë tjetër pos që ta sjellë me forcë në seancë.
Në fjalën e vet përfundimtare Prokurorja e rastit Merita Lumezi tha se heq dorë nga aktakuza sepse në bazë të provave të paraqitura është vërtetuar se ka munguar personi kontaktues i AKK-së në komunën e Zobin Potokut i cili, sipas saj, ishte dashur ta informojë të akuzuarën për detyrimin e saj për deklarimin e pasurisë sipas ligjit.
Prokurorja tha se në këtë rast ka mungesë të provave se e akuzuara e ka pranuar ndonjë njoftim zyrtar për ta deklaruar pasurinë.
Në seancën e sotme si dëshmitar u paraqit Milot Krasniqi i cili e përfaqësoi Agjensionin Kundër Korrupsion.
Krasniqi tha se në bazë të ligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik parashihet se personi i lartë publik me marrjen e detyrës e ka për obligim që ta deklarojë pasurinë.
Por ai tha se AKK-ja e kishte njoftuar kryetarin e Zubin Potokut Stevan Vuloviçq me postë dhe me e-mail që ai ta caktojë një zyrtar kontaktues në mënyrë që më pas t’i informojë zyrtaret e lartë publik të komunës së Zubin Potokut që ta deklarojnë pasurinë.
Megjithatë, dërgesën përmes postës komuna nuk e kishte pranuar, por Krasniqi tha se llogarit që AKK e ka kryer obligimin e vet ligjor kur e ka dërguar kërkesën përmes emailit.
Ai u shpreh se komuna e Zubin Potokut në atë kohë ka dështuar si institucion që ta caktojë një zyrtar kontaktues në mënyrë që ai të komunikojë me AKK-në dhe të marrë përgjegjësitë për informimin e zyrtarëve të lartë publikë në atë komunë.
E akuzuara në deklaratën e saj para gjykate tha se në bazë të atyre që i tha përfaqësuesi i AKK-së shihet se nuk është fajtore për këtë vepër.
Ajo shtoi se nuk ka qenë e njoftuar nga askush që ta bëjë deklarimin e pasurisë në atë përudhë për të cilën akuzohet.
KALLXO.com ka raportuar edhe më herët për raste të gjykimeve që kanë të bëjnë me mosdeklarim dhe deklarim të rrejshëm të pasurisë.
http://kallxo.com/berat-buzhala-denohet-me-1-mije-e-400-euro-per-mosdeklarim-pasurie/
http://kallxo.com/nait-hasani-shpallet-i-pafajshem/
http://kallxo.com/duda-balje-shpallet-e-pafajshme/
http://kallxo.com/4-muaj-burg-me-kusht-per-asamblistin/
http://kallxo.com/denohet-ish-zyrtari-i-kuvendit-te-prishtines/