Ilustrim

Sillen në Gjykatë grupi i fundit i grave të kthyera nga Siria

Edhe tri gra dhe dy vajza të mitura kanë dalë sot para Gjykatës në Prishtinë nën dyshimin se që nga viti 2014 e deri në prill të këtij viti kanë qenë në zonën e konfliktit Siri-Irak.

Sipas informacioneve që posedon KALLXO.com sot në ambientet e Gjykatës së Prishtinës janë sjellë dy vajza të mitura si dhe dy gra të tjera për të cilat thuhet se për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore kanë qenë të shtrira në spital prej nga edhe janë sjellë.

KALLXO.com mëson se Prokuroria ka kërkuar arrest shtëpiak edhe ndaj grave dhe vajzave që kanë dalë sot para Gjykatës.

Gjatë kësaj jave, para Gjykatës kanë dalë edhe 28 gra të tjera të kthyera ditën e shtunë nga Siria.

28 nga 33 gratë të cilat janë kthyer nga Siria, Gjykata e Prishtinës u ka caktuar arrest shtëpiak.

Të pandehurave V.B., F.D., F.L., N.H., A.Z., V.K., H.K., L.L., S.S., M.A-R.Q, F.Z., J.XH., A.M., Q.S., E.B., V.A., E.S., M.T., V.T-D., SH.T., M.T., L.I., A.A., G.L-K., D.D., V.I., dhe J.L.,  Gjykata u ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 1 muaji.

Sipas njoftimit të Gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurat që nga viti 2014 e deri me datë 20.04.2019, kanë qenë në zonën e konfliktit Siri-Irak.

Avokatja e njërës prej grave të kthyera nga Siria ka treguar për KALLXO.com se si klientja e saj nga rrethanat ishte detyruar që të martohej tri herë.

33 gra dhe vajza janë kthyer nga Siria pas një aksioni masiv të rikthimit të kosovarëve nga atje.

Ato kanë qenë duke qëndruar në Siri në kohën e luftimeve, bashkë me burrat përkatësisht baballarët e tyre.

Nga Siria bashkë me rreth 110 persona të tjerë, kryesisht gra e fëmijë të kosovarëve që kanë luftuar përkrah grupeve të ndryshme në Siri e Irak, janë kthyer edhe katër të dyshuar për pjesëmarrje si luftëtarë në këto luftëra.

Nga 110 të kthyerit, 33 prej tyre kanë qenë gra dhe 74 fëmijë, të cilët kanë qëndruar në Qendrën e Azilkërkuesve në Vranidoll të Prishtinës, për tri ditë me radhë apo 72 orë.

Megjithëse 110 shtetas kosovarë janë kthyer nga Siria, mbi 80 të tjerë vazhdojnë të jenë në zonat e konfliktit.

Sipas të dhënave në Siri vazhdojnë të jenë rreth 30 luftëtarë, 49 fëmijë dhe tetë gra.

https://kallxo.com/nga-sa-femije-i-kane-grate-e-kthyera-nga-siria/

.