Gazetari i vrarë Slavko Çuruvija

Sigurimi i Shtetit ‘u Përdor për Vrasjen e Gazetarit’

Goran Petroviq, ish-kreu i Agjencisë serbe të Sigurimit të Shtetit, tha në Gjykatën Speciale të Beogradit se një ekip mbikëqyrës i Sigurimit të Shtetit nuk shkeli ligjin ndërkohë që ata ruanin gazetarin opozitar Slavko Çuruvija para vrasjes së tij në prill 1999, por dikush i përdori ata për të marrë informacione rreth vendndodhjes së tij.

“Pasi ndodhi vrasja, njerëz nga ekipi i mbikëqyrjes u tronditën shumë kur ata dëgjuan në lajme se ata kishin marrë pjesë në vrasje,” tha Petroviq.

“Nëse dikush donte të dinte se kur Çuruvija do të ishte para apartamentit të tij (ku ai u vra), për mua kjo është një shenjë se dikush dëshiron ta vrasë atë,” shtoi ai.

Petroviq nuk iu përgjigj saktësisht një pyetjeje të avokatit mbrojtës i cili përdori informacionet e ekipit të mbikëqyrjes të Çuruvijës, një kritik i presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq, familja dhe kolegët e të cilit besojnë se ai u vra për qëndrimin e tij opozitar.

Ai tha se në atë periudhë kur Çuruvija ishte nën mbikëqyrje, kreu i departamentit të Sigurimit të Shtetit në Beograd ishte Milan Radonjiq, i cili donte të ishte i informuar për rutinën ditore të gazetarit.

“Çuruvija ishte nën mbikëqyrje në një mënyrë atipike, sepse kur ndjek dikë nuk ke pse informon eprorin tënd se ku është çdo minutë personi që po mbahet nën mbikëqyrje. Në karrierën time 15-vjeçare, nuk kam dëgjuar kurrë për një çështje të tillë,” shpjegoi Petroviq.

Ai tha se ai nuk e dinte se kush e urdhëroi apo organizoi vrasjen e Çuruvijës, themeluesit të gazetës “Dnevni Telegraf”.

Sipas aktakuzës, një ”person i panjohur” urdhëroi vrasjen dhe Radomir Markoviq, ish-kreu i Sigurimit të Shtetit në Serbi, urdhëroi vrasjen ndërsa tri ish-agjentë të tjerë sigurimi – Ratko Romiq, Milan Radonjiq dhe Miroslav Kurak – morën pjesë në organizimin dhe ekzekutimin e vrasjes.

Dyshohet se Kurak ishte autori i drejtpërdrejtë i krimit, ndërsa Romiq ishte bashkëpunëtori i tij.

Të tre të dyshuarit e kanë deklaruar veten të pafajshëm, ndërsa Kurak është në arrati dhe po gjykohet në mungesë.

Markoviq aktualisht po kryen dënimin me 40 vjet burg për vrasjen e ish-presidentit serb Ivan Stamboliq dhe krime të tjera, ndërsa Romiq dhe Radonjiq në shtator të vitit të kaluar u liruan nga akuza për tentativë për vrasje të liderit të partisë opozitare Vuk Drashkoviq në vitin 2000.

Luka Pejoviq ishte anëtar i Njësisë së Operacioneve Speciale të Ministrisë së Brendshme dhe gruaja e Çuruvijës, Branka Prpa, e cila ishte me burrin e saj në momentin kur ai u vra, tha se Pejoviq ishte vrasësi.

Pejoviq u vra në Beograd në vitin 2000, por gruaja e tij Biljana do të dëshmojë të hënën.

Raportet lidhur me rastin Çuruvija mund t’i gjeni në këtë link.