Gazetari i vrarë Slavko Çuruvija

Sigurimi i Shtetit ‘i Përfshirë në Vrasjen e Gazetarit’

Ish-kreu i task forcës policore Dragan Karleusa tha në Gjykatën e Beogradit të premten se Sigurimi i Shtetit po e ndiqte gazetarin opozitar Slavko Çuruvija, por ndaloi mbikëqyrjen vetëm disa orë para vrasjes së tij, gjë e cila tregon se ishte i përfshirë në vrasje në prill të vitit 1999.

“Çdo gjë tregonte Sigurimin e Shtetit, kështu që organizuam një hetim në atë drejtim. Gjithashtu, vumë re se disa nga informacionet që siguruam ishin futur aty, në mënyrë që të shpërqendroheshim dhe të na bënin të humbnim kohë,” tha Karleusa.

Ai tha gjithashtu se përveç se kishte parë “nënshkrimin” e Sigurimit të Shtetit në vrasje, policia siguroi informacione se një makinë e parkuar pranë skenës së vrasjes kishte targa të Sigurimit të Shtetit.

“Me atë makinë në vendin e ngjarjes, lokalizuam anëtarë të Sigurimit të Shtetit që ishin në vend. Makina i ishte dhënë të pandehurit Ratko Romiq-it,” tha Karleusa.

Sipas aktakuzës, një ‘”person i panjohur” urdhëroi vrasjen dhe Radomir Markoviq, ish-kreu i sigurimit të shtetit në Serbi, urdhëroi vrasjen, ndërsa tre ish-agjentë të tjerë sigurimi – Ratko Romiq, Milan Radonjiq dhe Miroslav Kurak morën pjesë në organizimin dhe ekzekutimin e vrasjes.

Dyshohet se Kurak ishte autori i drejtpërdrejtë i krimit, ndërsa Romiq ishte bashkëpunëtori i tij.

Të tre të dyshuarit e kanë deklaruar veten të pafajshëm, ndërsa Kurak është në arrati dhe po gjykohet në mungesë.

Markoviq aktualisht po kryen dënimin me 40 vjet burg për vrasjen e ish-Presidentit serb Ivan Stamboliq dhe krime të tjera, ndërsa Romiq dhe Radonjiq në shtator u liruan nga akuza për tentativë për vrasje të liderit të partisë opozitare Vuk Draskoviq në vitin 2000.

Gjatë dëshmisë së tij, Karleusa tha gjithashtu se informacioni se vrasësi i Çuruvijas ishte Luka Perjoviq, një anëtar i Njësisë së Operacioneve Speciale të Ministrisë së Brendshme, ishte vendosu qëllimisht.

“Kemi informacione se Luka Pejoviq ishte vrasësi, por gjatë hetimit gjithçka u refuzua nëpërmjet kontrollit. Ai thjesht nuk ishte i atij lloji- ‘kalibri’ për atë punë,” tha Karleusa.

Pejoviq u vra nga një person i panjohur në Beograd në vitin 2000.

Çuruvija u qëllua pas shpine 17 herë përpara ndërtesës ku ai jetonte në Beograd – një vrasje që familja dhe ish-kolegët e tij besojnë se ishte motivuar nga qëndrimi i tij opozitar.

Gazetari ishte një kritik i zëshëm i presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq, duke e akuzuar atë hapur për krime lufte dhe për drejtimin e një regjimi shtypës.

Disa ish-zyrtarë të lartë të sigurimit të shtetit kanë dëshmuar deri tani në gjyq. Pavarësisht dëshmive të tyre të ndryshme, pjesa më e madhe ranë dakord se Çuruvija u vra pak minuta pasi ekipi mbikëqyrës u urdhërua të mos e ndiqte më atë.

Ata thanë se Çuruvija ishte mbikëqyrur nga Sigurimi i Shtetit gjatë të gjithë vitit 1999, duke qenë se shihej si armik i regjimit të Millosheviqit.

Në një zhvillim tjetër të premten, faqja e internetit Insajder me bazë në Beograd raportoi se Gjykata e Apelit ka urdhëruar Gjykatën e Beogradit të gjykojë çështjen e Çuruvijas për të rishqyrtuar dhe shpjeguar qartë vendimin e saj për të lënë në paraburgim të pandehurit Radonjiq dhe Romiq.

Një zëdhënës tha për Insajder se Gjykata e Apelit i kishte pranuar ankesat nga avokatët e Radonjiqit dhe Romiqit dhe kishte rrëzuar vendimin e 17 tetorit për ta shtyrë edhe me 60 ditë të tjera qëndrimin në paraburgim të Radonjiqit dhe Romiqit.