Jerusalemi | Foto: Wikipedia

Sigurimi izraelit ndalon gazetarin kosovar të AP të përcjellë vizitën e princit William

Sot një gazetar i ‘Associated Press’ është penguar të mbulojë vizitën e princit William të Britanisë së Madhe në rezidencën zyrtare të kryeministrit pasi agjentët izraelitë të sigurisë e morën në pyetje për fenë dhe përkatësinë etnike, raporton AP.

Nebi Qena, gazetari kryesor i televizionit AP për Izraelin dhe territoret palestineze, u mbajt në hyrje të rezidencës për 45 minuta, duke e detyruar atë të humbasë ngjarjen, ndërsa gazetarët e tjerë u lejuan të hynin. Zyra e Netanyahut më vonë kërkoi falje, duke e cituar si “gabimin njerëzor”.

Qena, i cili është shqiptar nga Kosova, ka punuar me AP qe 10 vjet, duke përfshirë tre vjet në Jerusalem.

Ai tha se u pyet në mënyrë të përsëritur nga rojet e sigurisë lidhur me “origjinën etnike” të tij. Kolegët e AP, në vendngjarje dhe në zyrën në Jerusalem, u pyetën nga ndihmësit e Netanyahut për fenë e Qenës dhe nëse ai ishte një mysliman ndërsa ata u përpoqën ta siguronin hyrjen e tij.

Qena ishte regjistruar për ngjarjen përpara kohe dhe u sigurua se do të lejohej të hyjë. AP-ja ishte duke shërbyer si referencë për ngjarjen nga mediat ndërkombëtare.

“Associated Press e dënon këtë profilizim të hapur etnik dhe fetar të një gazetari të AP-së dhe i bën thirrje zyrës së kryeministrit që të ndalë menjëherë praktikat e tilla të njëanshme”, tha Lauren Easton, drejtoresha e marrëdhënieve me media në AP.