Sigal Prishtina mposhtet nga klubi belg, Belfius Mons - Foto: Rtv21

Sigal Prishtina Mposhtet në Shtëpi nga Klubi Belg

Në kuadër të FIBA Europe Cup, Sigal Prishtina sonte u përball me klubin belg, Belfius Mons, nga i cili nuk arriti të fitojë, pasiqë u mposht me rezultat  69-75,  shkruan rtv21.tv.

Në dy çerekët e parë, Sigal Prishtina ishte më e mirë, duke arritur të fitojë njërin me rezultat 24-21, e tjetrin 42-37.

Ashtu sikurse në 20 minutat e parë të lojës, edhe në 10 minutëshin e tretë, Sigal Prishtina bëri lojë më të mirë se sa Belfius Mons, duke arritur të fitojë edhe çerekun e tretë me rezultat 61-59.

Lojën me intensitet të njëjtë prishtinasit e vazhduan edhe në çerekun e fundit, por kah fundi i çerekut belgët u treguan më të saktë në shënime, përderisa prishtinasit dështuan disa herë, gjë që rezultoi në humbjen e tyre, me rezultat 69-75.

Ndryshe, nga ana e vendasve basketbollisti më i dalluar ishte Dardan Berisha me 33 pikë të shënuara./21Media