Si u raportua beteja e Jasharajve nga BBC

Më 7 mars 1998, kur familja Jashari po sulmohej për herë të tretë nga forcat serbe, rrjeti britanik i transmetimit BBC po raportonte situatën e luftës në Prekaz.

BBC raportoi për rënien heroike të komandantit të UÇK-së, Adem Jashari, duke thënë se brenga ndërkombëtare po shtohet në lidhje me luftimet e ashpra në Kosovë ku forcat ushtarake dhe policore serbe po luftojnë kundër “separatistëve shqiptarë”.

Përmes informacioneve të marrë nga mediat serbe, BBC, raportoi se 20 shqiptarë etnikë ishin vrarë së bashku me dy policë ndërsa 30 separatistë janë burgosur. Por numri i saktë e viktimave nuk dihet, përderisa televizioni serb kishte shfaqur fotografi të kompleksit të luftëtarëve në shtëpinë e Jasharëve, në fshatin Prekaz, të mbushur me trupa.

“Ambasadori i Shqipërisë në OKB ka kërkuar një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit për të diskutuar veprimin e mundshëm ndërkombëtar për të shmangur gjakderdhjen e mëtejshme, dhe kërcënimin e një lufte të re Ballkanike”, kishte raportuar BBC.

Gazetari i BBC-së, Paul Wood, që po raportonte nga Kosova, ka parë për së afërmi shtëpitë e pjesëtarëve të dyshuar të UÇK-së duke u djegur apo duke u shkatërruar nga automjetet ushtarake, duke shtuar se ishte edhe ndëshkim por edhe paralajmërim për pjesën tjetër të fshatit.

Serbët thonë se po e luftojnë terrorizmin, por Paul Wood thotë se nuk ka nevojë për operacione ushtarake të kësaj shkalle, raporton BBC.

Shumë familje po ikin, duke kaluar netët në kodra dhe partia kryesore shqiptare ka akuzuar serbët për kryerjen e një fushate të re të spastrimit etnik.

“Ne duhet të ikim”, tha një zonjë. “Është luftë këtu, njerëzit janë duke u vrarë, madje edhe fëmijët dhe askush nuk po bën asgjë”.

Disa në Kosovë besojnë se forcat serbe mund të rigrupohen për të planifikuar një ofensivë tjetër.

Shqiptarët etnikë thonë se serbët kanë krijuar heronj midis shqiptarëve dhe nuk kanë arritur të shkatërrojnë UÇK-në.

Të tjerë besojnë se UÇK është një organizatë jo e sofistikuar dhe se deri më tani nuk kishte pajisje ushtarake për të nisur një sulm serioz kundër forcave serbe.

Por veprimet e dy ditëve të fundit ka të ngjarë të ofrojnë më shumë rekrutë, pasi shqiptarët gjithnjë e më shumë besojnë se e ardhmja e vetme për Kosovën është pavarësia e plotë.

UÇK thotë se anëtarët e saj që jetojnë jashtë vendit po kthehen në Kosovë për t’u bashkuar në luftën kundër serbëve.

Serbët thonë se operacioni i tyre i sigurisë ka mbaruar, por për shqiptarët në rajon, terrori vazhdon.

Artikullin origjinal të BBC-së mund ta lexoni këtu.