Emin Beqiri

Si shpëtoi pa u gjykuar komandanti i Policisë së Ferizajt, Emin Beqiri?

Muajin e kaluar, ish-shefi i Krimeve Ekonomike të Policisë, Emin Beqiri, i cili akuzohej për keqpërdorim të detyrës, pengim të provuarit dhe moslajmërim të veprës penale u gradua në detyrë.

Atij iu besua posti i komandantit të Policisë për rajonin e Ferizajt.

Mirëpo para një viti Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj tij dhe biznesmenit Rrahim Hashimi pasi dyshoheshin se kishin kryer vepra penale.

Në lidhje me këto akuza, Emin Beqiri dhe Rrahim Hashimi ishte deklaruar i pafajshëm.

Edhe pse e kishin kundërshtuar aktakuzën, gjykata e shkallës së parë kishte vendosur që të dy të gjykoheshin për veprat që dyshoheshin që kishin kryer.

E mendimit të njëjtë nuk ishte edhe Gjykata e Apelit, pasi vendosi që aktakuzën ndaj ish-shefit të krimeve ekonomike, ta hidhte poshtë ndërsa për Rrahim Hashimin kishte vendosur që të gjykohej për mashtrim, duke ia hedhur poshtë akuzën për ushtrim ndikimi me arsyetimin se kishte dyshim të bazuar.

Me këto vendime të Apelit nuk ishte pajtuar Prokuroria Speciale.

Prokuroria pretendonte se Gjykata e Apelit e ka shkelur ligjin në momentin kur e ka hedhur poshtë aktakuzat ndaj Emin Beqirit dhe akuzën për ushtrim të ndikimit ndaj Rrahim Hashimit.

Duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale, instanca më e lartë e gjyqësorit, Gjykata Supreme ka konstatuar se Apeli nuk është dashur ta hidhte poshtë aktakuzën ndaj Beqirit dhe Hashimit.

Sipas Supremes, Gjykata e Apelit nuk ka pasur të drejtë të lëshohet në vlerësimin e provave dhe se me ketë veprim pa të drejtë e ka marrë rolin e Gjykatës së shkallës së parë.

Në vendimin e Gjykatës Supreme të cilin e ka siguruar KALLXO.com, thuhet se Gjykata e Apelit ka gabuar kur ka konstatuar se nuk ka prova të cilat e formojnë dyshimin e bazuar se  Emin Beqiri i ka kryer ato vepra penale.

Sipas Gjykatës Supreme, në shkresat e lëndës ka dëshmi të dëshmitarwve të cilët thonë se Rrahim Hashimi u kishte treguar të dëmtuarve se kundër tyre në Departamentin për krime Ekonomike ishte nisur një hetim dhe se për ta përfunduar hetimin ata duhej të jepnin 100 mijë euro, dhe duke u thënë se “këtë punë e ka në dorë Emin Beqiri”.

Përpos deklaratave, sipas Supremes, në shkresat e lëndës gjenden një mori transkiptesh dhe mesazhesh të komunikimit në mes të Rrahim Hashimit dhe të dëmtuarve në të cilat përmendet edhe emri i komandantit Emin Beqiri.

Gjykata Supreme konstaton se Apeli nuk ka pasur të drejtë kur ka konstatuar se nuk ka prova të cilat e kanë involvuar Emin Beqirin në vepra penale për të cilat akuzohet.

Supremja shton se Gjykata e Apelit me vendimin e marrë ka pamundësuar që të vërtetohet fajësia ose pafajësia e dy të akuzuarve.

Gjykata Supreme vjen në përfundim se Apeli e ka shkelur ligjin në favor të Emin Beqrit kur e ka hedhur poshtë akuzën ndaj tij si dhe ka bëre shkelje kur në rrethana të njëjta ndaj Beqirit e ka hedhur aktakuzën ndërsa ndaj Hashimit e ka anuluar aktvendimin.

Sipas Supremes në shkresat e lëndës ka pasur prova të mjaftueshme të cilat e kanë mbështetur dyshimin e bazuar mirë se dy të akuzuarit i kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohet.