Si Raportohet Dialogu Kosovë- Serbi në Mediat e Beogradit?

Pavarësisht se e përkrah dialogun me Kosovën, shtypi serb është kritik ndaj qasjes së Kosovës në këtë dialog, thuhet në një raport të publikuar sot nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).

Raporti në të cilin janë dhënë në shifra raportimet e tri mediumeve ndër kryesoret në Serbi, B92, Tanjug dhe Beta, thotë se mënyra e raportimit të mediave serbe ndaj procesit të dialogut të nisur në vitin 2011, ka evoluar me kalimin e kohës.

Autorja e raportit, Ana- Maria Enache, tha se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka qenë ndër temat kryesore të raportimit në mediat serbe, krahas raportimeve për krim dhe korrupsion në Serbi.

Sipas saj mediat serbe si B92 ka shkruar se Kosova po e anashkalon dialogun politik mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa Beta është ankuar se qeveria e Kosovës nuk është bashkëpunuese.

“Kur bëhet fjalë për lidershipin politik të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Atifete Jahjaga kanë qemë më të pranishmit në mediat serbe”, tha Enache.

“Agjensitë B92 dhe Tanjug kanë një qasje mbështetëse ndaj ekipit negociues serb, ndërsa agjensia Beta ka mbajtur një qasje më kritike”, shtoi ajo.

Analisti nga Prishtina, Belul Beqaj, tha se retorika në mediat serbe ndaj Kosovës nuk ka ndryshuar nga ajo e kohës së Milosheviqit se “Kosova është pjesë e Serbisë”.

“Gati çdo media në Serbi e mbështet qeverinë e tyre ndaj Kosovës dhe qasjen e qeverisë ndaj dialogut”, tha Beqaj.

Ndërsa kryeredaktori i TV Klan Kosova, Gazmend Syla, tha se mediat në Serbi janë të interesuara të raportojnë për Kosovën vetëm në ‘lajmet negative’ siç është ndonjë rast i prishjes së varrezave.

Por kur është fjala për dialogun, Syka tha se nuk ka pasur vullnet për transparencë nga asnjëra palë në proces.

“Vullneti për transparencë nuk ka qenë as në Kosovë, as në Serbi e as në Bruksel. Serbët e kanë parë që po humbin, kosovarët e kanë parë që nuk po fitojnë atë që po e presin ndërsa Brukseli është munduar të jetë neutral”, ka thënë Syla.

Ndërsa drejtuesi i Qendrës mediale në Çagllavicë, Budimir Niçiq, tha se zyrtarët e lartë të qeverisë së Serbisë që japin deklaratat për Kosovën janë shumë të pranishëm në mediat serbe.

“Kur është në pyetje dialogu i Brukselit, mediat serbe raportojnë se Kosova po dështon t’i zbatojë marrëveshjet ndërsa për liderët e Kosovës raportet e mediave bëhen në kontekst negativ”, tha Niçiq.