Vrasja ne Lipjan 01 foto KALLXOcom

Si ndodhi vrasja dhe arrestimi i të dyshuarit në kazino në Lipjan

Mbrëmjen e 20 marsit, brenda një kazinoje në Lipjan mbeti i vrarë një punëtor 36 vjeçar, pasi ishte qëlluar dy herë me armë zjarri.

Nga informatat e para të Policisë thuhej se punëtori i lokalit ishte gjetur pa shenja jete dhe dyshohej se kishe marrë plagë nga arma e zjarrit.

Disa orë pasi që vrasja kishte ndodhur Policia dhe Prokuroria të cilët ishin në vendin e ngjarjes thanë se rasti ka të bëj me një grabitje e cila përfundoi me vrasje.

Komandanti i stacionit policor në Lipjan, Driton Imeri, ka thënë se në bazë të informatës së pranuar, personi që punonte në lokal nuk po lajmërohej në telefon.

“Për 3 minuta kemi ardhur në vendin e ngjarjes. Bashkë me sigurimin e kemi hapur derën me forcë. Prapa shankut e kemi gjetur personin pa shenja jete”, ka treguar Imeri.

Ndërsa, prokurori i rastit, Armend Hamiti, kishte deklaruar se rasti në kazinon në Lipjan është vdekje e dhunshme, duke treguar se rasti nga ana e Prokurorisë po trajtohej si grabitje me pasojë vdekjen.

Një ditë pasi që ndodhi vrasja, prokurori kishte treguar se po punojnë që të dyshuarin të identifikojnë përmes kamerave të sigurisë.

“Ende personi nuk është identifiku. Në momentin që identifikohet fotografia e tij do të jetë publike në mënyrë që ata që kanë informacione të arrijnë të na ndihmojnë me vendndodhjen e tij. I dyshuari nuk është i maskuar komplet, ka një kapele dhe për këtë e kemi pak të vështirë ta identifikojmë”, ka treguar prokurori për KALLXO.com.

Vetëm pas dy jave, Policia dhe Prokuroria kanë arritur të identifikojnë dhe të arrestojnë të dyshuarin për vrasjen e cila ndodhi në kazino.

Mbrëmë në orët e vona, Policia në bashkëpunim me Prokurorinë kanë mbajtur një konferencë për media ku njoftuan se kanë arritur të arrestojnë një person të dyshuar për vrasjen në Lipjan.

Rexhep Sijarina, drejtor rajonal i Policisë, tha se pas hetimeve intensive mbrëmë rreth orës 20:00 është arrestuar personi i dyshuar.

“Janë konfiskuar dy armë, prova të tjera materiale, një veturë dhe po punojmë intensivisht për zbardhjen e plotë të rastit”, tha Sijarina.

Ndërsa, Armend Hamiti, prokuror i rastit tha se i dyshuari është arrestuar pas një pune intensive dhe në koordinim me hetuesit.

“Do të shikojmë nëse ka edhe persona të tjerë të involvuar në këtë rast të grabitjes me pasojë vdekjen”, shtoi prokurori.

I dyshuari për këtë rast, pritet që brenda 48 orëve të dal para Gjykatës në Prishtinë, për t`u përballur me kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij.