Si i shpëtoi Rrahim Hashimi, rrjetës së Prokurorisë!

Njëri nga të arrestuarit për fajde, mashtrim dhe detyrim, me vendimin e Gjykatës u lirua dje.

Arsyeja e lirimit të tij është vjetërsimi i veprës penale e cila pretendohet se është kryer në vitin 2012.

Rrahim Hashimi u arrestua dy ditë më parë bashkë me Ismet Osmanin, I njohur si “Curri”, dhe tre të dyshuarit e tjerë Adil Thaqi, Mentor Maqani dhe Ilir Bojku.

Ai dyshohej se gjatë vitit 2012 bashkë me Ekrem Likën nëpërmjet Sami Nikës i kishin dhënë Faton Dalladakut fajde në vlerë prej 350 mijë euro me kamatë prej 7% në muaj.

Sipas Prokurorisë, shuma të cilën Dalladaku detyrohej të paguante në emër të fajdesë ishte rreth 25 mijë euro në muaj.

Në dosjen e Prokurorisë, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, thuhet se për sigurimin e kthimit të shumës së 350 mijë eurove, i dyshuari Sami Nika e kishte bartur mbi vete shtëpinë e Dalladakut në lagjen Pejton.

Mirëpo këto pretendime të Prokurorisë për Hashimin u hodhën poshtë dje, për shkak të arritjes së vjetërsimit të veprës penale.

Në aktvendimin e Gjykatës të cilin e ka siguruar KALLXO.com, thuhet se në vitin 2012 nuk ka ekzistuar vepra penale e fajdesë, por vepra e kontraktimit të përftimit joproporcional e cila në atë kohë dënohej deri në tre vite burgim.

Andaj sipas kësaj gjykate duke pasur parasysh se kanë kaluar më shumë se gjashtë vite nga koha e kryerjes së veprës penale, në rastin konkret është arritur vjetërsimi i ndjekës panele.

Mirëpo kjo nuk është vepra e vetme penale për të cilën po dyshohet Rrahim Hashimi.

Një vit më parë, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj tij dhe komandantit të Policisë për rajonin e Ferizajt Emin Beqirit.

Hashimi akuzohej për ushtrim ndikimi se ka kërkuar 100 mijë euro ryshfet për të lehtësuar hetimin në një rast penal, ndërsa ish shefi i krimeve ekonomike akuzohej për keqpërdorim të detyrës, pengim të provuarit dhe moslajmërim të veprës penale.

Këto vepra ishin hedhur poshtë nga Gjykata e Apelit, e cila kishte vlerësuar se nuk ka dyshim të bazuar se të dyshuarit kishin kryer këto vepra penale mirëpo kishte vendosur që Rrahim Hashimi të gjykohej për Mashtrim.

Pas këtij vendimi rasti kishte shkuar në Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës.

Supremja kishte konstatuar se Gjykata e Apelit ka gabuar në momentin kur e ka hedhur poshtë akuzën ndaj dy të dyshuarve.

Sipas Supremes, Gjykata e Apelit e ka shkelur ligjin në momentin kur e ka hedhur poshtë aktakuzat ndaj Emin Beqirit dhe akuzën për ushtrim të ndikimit ndaj Rrahim Hashimit.

Në vendimin e Gjykatës Supreme të cilin e ka siguruar KALLXO.com, thuhet së në shkresat e lëndës ka dëshmi të dëshmitarëve të cilët thonë se Rrahim Hashimi u kishte treguar të dëmtuarve se kundër tyre në Departamentin për Krime Ekonomike ishte nisur një hetim dhe se për ta përfunduar hetimin ata duhej të jepnin 100 mijë euro, dhe duke u thënë se “këtë punë e ka në dorë Emin Beqiri”.

Në atë vendim tutje thuhet se Gjykata e Apelit ka pamundësuar që të vërtetohet fajësia ose pafajësia e dy të akuzuarve pasi që ka pasur prova të mjaftueshme të cilat e kanë mbështetur dyshimin e bazuar mirë se dy të akuzuarit i kanë kryer veprat penale për të cilat akuzoheshin.

https://kallxo.com/si-shpetoi-pa-u-gjykuar-komandanti-i-policise-se-ferizajt-emin-beqiri/

Së fundmi Rrahim Hashimi, ka qenë dëshmitar në Gjykatën Speciale në Hagë, për të dëshmuar si pjesëtar i njësitit “Delta” në Brigadën 138 “Agim Ramadani”.

https://kallxo.com/rrahim-hashimi-per-te-treten-dite-po-merret-ne-pyetje-nga-gjykata-speciale-ne-hage/

.