Shyqyri Haxha Ndihet i Pafajshëm

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës është mbajtur shqyrtimi fillestar në rastin ndaj të akuzuarit Shyqyri Haxha, i cili akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

I akuzuari Shyqyri Haxha pas leximit të aktakuzës deklaroi se nuk e ndjen veten fajtor për veprën për të cilën e ngarkon Prokuroria.

Po ashtu, ai aktakuzën e cilësoi “bizare”.

“Unë nuk kam të bëj asgjë me këtë aktakuzë“, deklaroi Haxha.

Haxha nga Prokuroria akuzohet se ka keqpërdorur pozitën, në atë mënyrë që në periudhën kohore prej vitit 2009 deri në vitin 2011, duke qenë në pozitën e kryeshefit të ekzekutivit të PTK-së, ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për ndërmarrjet publike, matricës së autorizimeve të datës 14 shtator 2009, duke e implementuar Rezolutën e Bordit të Drejtorëve të PTK-së më 14 korrik 2009, përkitazi me mbulimin e shpenzimeve të qirasë për stafin e PTK-së që jeton jashtë Kosovës, ashtu që ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme pagesën ë qirasë dhe ngarkesave tjera në vlerë prej 2.000 eurosh për çdo muaj, e cila shumë arrin gjithsej 53.000 euro, ku 28.000 i ka tërhequr para të gatshme në dorë, ndërsa pjesa tjetër prej 25.000 euro është tërhequr përmes xhirollogarisë bankare në TEB Bank.

Pas përfundimit te seancës fillestare, i akuzuari Shyqyri Haxha për KALLXO.com deklaroi se kjo që po ndodhë është “e tmerrshme”, pasi që, sipas tij,  “jam akuzuar pa asnjë provë”.

“Absolutisht është e tmerrshme se si prokuroria ngritë aktakuzë pa asnjë fakt dhe pa asnjë dëshmi. Komplet manipulim i lëndës.  Është vendim i bordit, janë organet e tjera që e kanë implementuar vendimin e bordit. Ceket shumë saktë vendimi i bordit për këtë aktakuzë. Ndërsa kjo mundohet të më involvojë mua pa as një fakt. Kjo është e tmerrshme, kjo tregon papërgjegjësinë dhe joprofesionalizmin e institucionit”, tha Haxha.

I pyetur nga KALLXO.com se për çfarë saktësisht akuzohet, Shyqyri Haxha the se akuzohet se “gjoja jemi shpërblyer me kompensim të shpenzimeve si staf ndërkombëtar, gjoja se ne kemi marrë vendim e vendimi është marrë nga Bordi. Kjo ceket shumë mirë, Bordi ka marrë vendim dhe çdo gjë është e detajizuar. Kurse sa i përket aktakuzës nuk ekziston asnjë fakt. Është e tmerrshme se si mund të akuzohet dikush për një vendim që nuk ke qenë në asnjë formë i involvuar”, deklaroi Shyqyri Haxha.