Sali Asllanaj, kryetar i komunës së Suharekës

Shumëzimi me Zero i Fondit të Premtuar të Punësimit në Suharekë

Komuna e Suharekës, është njëra ndër komunat e pakta që nuk ka as një drejtori që udhëhiqet nga femrat, ndërsa Sali Asllanaj e ushtron mandatin e tretë si kryetar i kësaj komune.

Ai u rikthye në krye të komunës së Suharekës pasi fitoi zgjedhjet në vitin 2013, duke e akuzuar AAK-në për politizim të arsimit dhe administratës, por problemet kryesore në dy vitet e qeverisjes së tij në këtë mandat Asllanaj i ka pikërisht në politizim të arsimit.

Kur kishte fituar zgjedhjet në vitin 2013, ai kishte premtuar edhe një fond për punësimin e të rinjve në këtë komunë. Ai në atë kohë kishte premtuar se çdo vit do të ndajë nga buxheti komunal komuna nga 100,000 euro për këtë fond, duke ndihmuar punësimin e të rinjve.

Ai tani, pas dy viteve e pranon që ky premtim nuk është realizuar, por e fajëson edhe opozitën për mos realizim të këtij premtimi.

“Është një premtim që dorën në zemër duhet me pranu që nuk ka ec. Pikërisht opozita ka qenë ajo që ka refuzuar ta aprovojë këtë fond në buxhet, pasi që është menduar që do të punësohen vetëm njerëzit e LDK-së. Në këtë kuptim është justifikuar opozita”, tha kryetari Asllanaj.

Opozita e pranon që nuk e kanë votuar këtë fond në asamblenë komunale, por arsyetohen se ky fond për punësim do të shkonte në punësimin e militantëve të LDK-së, siç ata pretendojnë se janë bërë punësimet deri tani në këtë komunë.

“Është e vërtetë që në zyrën e kryetarit është diskutuar gjatë për fondin e punësimit, mirëpo duke e parë një praktikë të punësimeve të kryetarit, duke larguar njerëzit e partive tjera e duke i punësuar njerëzit e LDK-së”, tha Nadire Hoxha nga AAK-ja.

Ndërsa Ardian Kotorri nga AAK-ja, tha se ky nuk ka qenë premtim i opozitës, por i kryetarit të komunës dhe ai, sipas Kotorrit, ka qenë dashur ta mbajë këtë premtim.

Leonard Shala nga Vetëvendosje tha se këtë fond e kishin vlerësuar si të qëlluar, por u shpreh se patën shprehur shqetësimet e tyre, që gjatë realizimit të projektit të mos ketë anime politike.

“Ky fond është hequr, për shkak se për t’i bërë votat për kalimin e buxhetit ka bërë një marrëveshje me PDK-në që t’i realizojë disa projekte të PDK-së”, tha Shala.

Por edhe asamblisti i PDK-së, Alush Shala, thotë se asamblistët e partisë së tij nuk e kanë votuar “fondin e punësimit” për shkak se nga ai do të përfitonin “vetëm militantët partiakë” të LDK-së.

Kryetari i komunës u pyet nga Jeta Xharra nëse ai ka ndikuar në punësimin e vëllait të tij në Stacionin e Autobusëve.

Sali Asllanaj tha “se nuk po don me mohu edhe se bordi ka mundur të bie në ndikimin e kryetarit”, por sipas tij, në bordin e Stacionit të Autobusëve LDK-ja është pakicë, pasi që “në bord janë dy prej PDK-së, dy prej AAK-së dhe një nga LDK-ja”.

Por, sipas Leonard Shalës nga LVV, kundër kandidat të vëllait të kryetarit “kanë qenë dy kandidatë me fakultet, ndërsa është pranuar vëllai i kryetarit me shkollës të mesme”.

Ndërsa Asllanaj pati një përgjigje interesante ndaj këtyre akuzave kur tha se “është çështja për një inkasant nuk është për doktor shkence”.

Asllanaj u pyet edhe për ndërtimin e shkollave në fshatin Nishor, Popolan, Shllapuzhan, Duhël të cilat kanë nisur të ndërtohen dhe sipas kryetarit “në shtator të këtij viti nxënësit do të vazhdojnë mësimin në shkollat e reja”.

Po ashtu në debat u ngrit edhe mosfunksionalizimi i ambulantave në fshatrat Dubravë, Samadraxhë dhe Bllacë, pasi sipas Ardian Kotorrit këto ambulanta “nuk po hapen për shkak se janë ndërtuar nga AAK-ja”, por kryetari i komunës tha se arsyeja e mos’hapjes së këtyre ambulantave është se ato “janë ndërtuar pa koncept, janë ndërtuar pa plan”.

Po ashtu në debat u ngrit edhe çështja e politizimit të drejtorëve të shkollave përfshirë zgjedhjen e baxhanakut të drejtorit të arsimit në pozitën e drejtorit të Shkollës Profesionale për të cilin dyshohet se nuk i cili nuk plotësonte kushtet ligjore.

Zgjedhja ishte anuluar nga Inspektorati i Arsimit por më vonë në këtë pozitë ishte zgjedhur një person i afërt me pushtetin, miku i nënkryetarit të komunës së Suharekës, Rexhep Kuqi.

Edhe këtë zgjedhje e kishte anuluar Inspektorati i Arsimit pasi që kandidati nuk i plotësonte kushtet sipas konkursit.

Dyshime për zgjedhje të drejtorëve në bazë të afrive politike me partinë në pushtet janë ngritur edhe për gjimnazin e Suharekës si dhe shkollat “Destan Bajraktari” në Suharekë dhe atë “Edit Durham” në Mushtisht.

Asllanaj tha se gjatë mandatit të tij në krye të komunës i ka liruar bizneset komunale për 10 për qind nga tatimet, ka realizuar një zonë industriale në Shirokë si dhe ka arritur të ofrojë një ofertë turistike të komunës.