Furgoni që besohet se u përplas në turmën e këmbësorëve mbi London Bridge – Foto: H.Attai/BBC

‘Shumë Viktima‘ në Aktet Terroriste në Londër

Ndonëse nuk dihet numri i saktë i viktimave të së shtunës në mbrëmje, në ballinën e saj të numrit të sotëm “The Sun” shkruan se për “7 të vrarë“ e dhjetëra të plagosur në incidentet në London Bridge dhe Borough Market.

Sipas BBC-së, kryeministrja britanike, Theresa May, ka thënë se këto sulme po trajtohen si akt i mundshëm terrorizmi.

Në një komunikatë të lëshuar pas orës 3:00, Policia londineze ka treguar për ecurinë e ngjarjeve.

Në ora 22:08, një automjet është përplasur me turmën e këmbësorëve mbi London Bridge.

Më pas, Policia ka ndërhyrë në Borough Market pasi që një burrë sulmonte me thikë këmbësorët. Janë dëgjuar të shtëna. Në të njëjtën kohë, një incident ku ishte i përfshirë një burrë i armatosur me thikë është regjistruar në Vauxhall.

Në ora 00:25, incidentet në London Bridge dhe Borough Market janë konsideruar si “akte terroriste” nga Policia. Ndërsa incidenti në Vauxhall ishte i izoluar.

Këto akte terrorizmi janë dënuar nga presidentët amerikan e francez, të cilët kanë shprehur solidaritetin e tyre me autoritetet dhe popullin britanik.

Sulmet e të shtunës në mbrëmje ndodhën dy javë pas një sulmi vetëvrasës në Manchester, ku u vranë mbi 20 persona e dhjetëra të tjerë u plagosën.

http://kallxo.com/mbi-20-te-vrare-ne-sulmin-terrorist-ne-mancester/