Foto-ilustrim

Shumë Pengime të Policëve në Detyrë

Në raportin 24 orësh të policisë në rajone të ndryshme të Kosovës janë regjistruar katër raste të pengimit të personave zyrtarë në krye të detyrës.

Sipas raportit, pengim i policëve në krye të detyrës zyrtare ndodhi dje pasdite në Obiliq, nga një person të cilit forcat e rendit po ia bastisnin shtëpinë dhe objektet përcjellëse.

Raporti bën me dije se edhe në Kamenicë dje në mëngjes një person ka fyer në mënyrë agresive dhe penguar policët, derisa ata po kryenin punën e tyre.

Pengim i policëve ka ndodhur edhe në Ferizaj paraditen e së premtes.

Edhe në Suharekë mbrëmjen e djeshme, disa persona kanë tentuar të sulmojnë dhe të pengojnë policët në detyrë, kur ata dolën në vendin ku një shofer që voziste në gjendje të dehur goditi me makinë një shenjë trafiku.

Sipas raportit policor shoferi i dehur dhe dy pasagjerë që udhëtonin me makinën që goditi shenjën e komunikacionit, deshën të sulmojnë policinë.

Të dyshuarit për tentim-sulm dhe tentim-pengim të policëve në Suharekë u dërguan në stacionin policor deri në këndellje.

Në tri rastet tjera të pengimit të policëve në punë, penguesit e tyre u arrestuan, për t’u liruar pastaj me procedurë të rregullt.

Për sulme dhe pengim të policëve KALLXO.com shkroi edhe më herët.

http://kallxo.com/tre-sulme-ndaj-policeve-ne-nje-dite/

Sipas shënimeve të Policisë së Kosovës nga janari deri në tetor të këtij viti janë regjistruar 150 sulme ndaj personave zyrtarë, 22 nga të cilat ndaj zyrtarëve policorë.