Shumë Ligjërata të Pambajtura në Tri Fakultete të UP-së

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), sot ka publikuar raportin e dytë “Dembelët e Hasan Prishtinës”, përmes së cilës është monitoruar mbajtja e ligjëratave dhe provimeve në Fakultetin Filozofik, Juridik dhe Ekonomik.

Sipas raportit të ORCA-s , monitorim i ligjëratave ka qenë nga 24 prilli deri më 19 maj, ndërsa monitorimi i provimeve ka ndodhur nga 1 qershori deri më 21 qershor.

Nga ky monitorim ORCA ka evidentuar një serë problemesh në Universitetin e Prishtinës, ku në tri fakultetet e monitoruar ka dalë se nuk respektojnë orarin e ligjëratave, si dhe bëjnë ndërrimin e sallave dhe orareve pa paralajmërim zyrtar.

Po ashtu është evidentuar se në këto tri fakultete ka bashkim grupesh të studentëve jo vetëm të të njëjtit departament, por edhe të departamenteve të ndryshme për mbajtjen e ligjëratave.

ORCA përmes këtij raporti ka evidentuar se në një numër të lartë të ligjëratave të monitoruara profesorët vonohen 15 deri në 30 minuta.

Në Fakultetin Filozofik, Juridik dhe Ekonomik sipas ORCA-s ka, ka raste kur asistentët mbajnë ligjëratat e profesorëve të tyre.

Aurela Kadiru e cila ka qenë përgjegjëse për monitorimin e Fakultetit Filozofik ka thënë se mospjesëmarrja e profesorëve nëpër ligjërata është skandaloze.

“ I kemi monitoruar 314 ligjërata prej tyre 77 nuk janë mbajtur fare, që nuk është numër i vogël është një shifër skandaloze”, ka thënë Kadriu.

Ajo tha se profesorët e Fakultetit Filozofik vijnë me vonesë në provimet e caktuara.

“ Në 48. 3 për qind të provimeve, profesorët vonohen 5 deri në 15 min. Ne kemi pasur rast që gjatë monitorimit i kemi pritur profesorët edhe deri në një orë apo edhe më shumë se një orë dhe nuk ka pasur njoftim se provimi shtyhet”, tha Kadriu.

Kadriu tregoi se në këtë fakultet janë monitoruar 20 provime të studentëve.

“Në fakultetin Filozofik nga 20 provime, dy nuk janë mbajtur fare, ndërsa 4 janë mbajtur që për ne është problematike, sepse ka raste që provimet janë mbajtur prej asistentëve dhe 7 provime kanë filluar më së paku 20 minuta vonesë”, deklaroi ajo.

Ndërsa Dibran Hoxha, përgjegjës për monitorim në Fakultetin Ekonomik tha se pjesëmarrja e profesorëve në ligjërata në këtë fakultet është shqetësuese.

“ Nga 40 profesorë të monitoruar, 10 profesorë kanë munguar në 100 për qind të ligjëratave, 6 profesorë kanë munguar 50 deri në 60 për qind të ligjëratave,  ndërsa 16 profesorë kanë munguar 40 për qind të ligjëratave.  Kjo përben shifër shqetësuese”, tha Hoxha.

Hoxha tha se në Fakultetin Ekonomik janë monitoruar gjithsej 627 ligjërata, 77 prej tyre nuk janë mbajtur fare.

Ndërsa sa i përket mbajtjes së provimeve në Fakultetin Ekonomik sipas Hoxhës parregullsitë janë të shumta.

“Nga 20 provime, një nuk është mbajtur fare dhe nuk i dimë arsyet pse nuk është mbajtur. Parregullsitë e provimeve janë të shumta. Në Fakultetin Ekonomik janë dy raste kur dy provime mbahen në të njëjtën ditë që është e pamundshme. Parregullsi tjetër është se pesë provime janë mbajtur nga asistentët dhe katër provime janë me vonesë prej 30 deri në 40 minuta, që me përqindje i bie që 50 për qind e provimeve në Fakultetin Ekonomik nuk kanë shkuar në rregull”, tha Hoxha.

Ndërsa Dardan Konjufca, përgjegjës për monitorimin e Fakultetit Juridik tha se 64 ligjërata të parapara në këtë fakultet nuk janë mbajtur fare.

“ Janë monitoruar 236 ligjërata, prej tyre 64 ligjërata nuk janë mbajtur fare. Prapë është një numër i madh i mosmbajtjes së ligjëratave”, tha Konjufca.

Edhe në këtë fakultet, Konjufca tregoi se janë monitoruar 20 provime në të cilat ka parë parregullsi.

“Sa u përket provimeve, sipas metodologjisë, kemi monitoruar 20 provime, prej tyre një nuk është mbajtur, pesë provime janë mbajtur nga asistentët apo profesorët që nuk janë të lëndës përkatëse, ndërsa katër provime kanë filluar me 15- 20 e deri 40 minuta vonesë. Ka një rast që provimi ka filluar me 15 minuta më herët dhe studentët janë ankuar se si vjen profesori më herët dhe ne nuk jemi informuar”, tha Konjufca.

ORCA në këtë hulumtim ka anketuar 92 të fakulteteve të monitoruar.

Kohë më parë kjo organizatë kishte publikuar raportin e parë të monitorimit “Dembelët e Hasan Prishtinës”, me të cilin raport kishin monitoruar konsultimet e profesorëve me studentë.

http://kallxo.com/orca-identifikon-dembelet-e-hasan-prishtines/