Shukri Buja në gjykatë (Arkiv). Foto: Kallxo.com

Shukri Buja pyetet në gjykatë për nënshkrimet në vendimet e Kuvendit Komunal

Në gjykimin ndaj Shukri Bujës të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, rast ky i cili është në mesin e rasteve të shënjestruara për liberalizim të vizave, gjykimi ka vazhduar me dhënien e mbrojtjes së të akuzuarve.

Gjatë kësaj seance, mbrojtjen është duke e dhënë ish kryetari i komunës së Lipjanit, i akuzuari Shukri Buja i cili fillimisht u përgjigj në pyetjet e mbrojtësit të tij e më pas edhe të prokurorit Agron Bajrami.

Ai gjatë mbrojtjes së tij deklaroi se në periudhën përgjatë së cilës kishte qenë Kryetar i Komunës së Lipjanit në viteve 2009-2013, kishte  vepruar në bazë të Rregullores 2007/13 si dhe Ligjit për Qeverisje Lokale. Në bazë të këtij legjislacioni ai tha kas pasur bashkëdyzim të kompetencave ekzekutive dhe kryesuese legjislative ashtu që në atë periudhë ai ka pasur kompetencën edhe të Kryetarit të Komunës dhe të Kryesuesit të Kuvendit Komunal.

Buja tha se organi i cili e ka bërë shpalljen e interesit të përgjithshëm për eksproprijim dhe të gjitha vendimet e tilla që kishin të bënin me eksproprijimin brenda Komunës së Lipjanit, i ka marrë Kuvendi Komunal, si organi më i lartë legjislativ në komunë.

“Vendimin për shpalljen e interesit të përgjithshëm për shpronësimin e patundshmërive zona kadastrale Medvec dhe Magure (objekt i kësaj akuze), a e keni marrë ju apo Kuvendi Komunal”, e pyeti të akuzuarin, mbrojtësi i tij avokati Arianit Koci.

Në lidhje me këtë pyetje, i akuzuari u përgjigj se të gjitha këto vendime i ka marrë Kuvendi Komunal.

“Kjo procedurë paraprakisht ka qenë në procedurë të Kuvendit Komunal, para se unë të vija Kryetar është përsëritur kërkesa nga Ferronikeli. Në atë kohë kërkesa i është drejtuar zyrës së administratës publike apo Kryetarit të Komunës dhe ai pasi që e sheh se për çfarë natyre ka të bëjë e drejton në drejtorinë apo shërbimin profesional përkatës”, tha Buja, duke shtuar se ka qenë e njëjta procedurë siç ka ndodhur dy apo tri vite më herët me pronat që janë shpronësuar në atë kohë për Aeroportin Ndërkombëtar.

Buja deklaroi se në bazë të rregullores dhe Ligjit për Qeverisje Lokale ai si Kryetar i Komunës ka qenë i obliguar që t’i ekzekutonte vendimet e Kuvendit.

http://kallxo.com/pas-qetesise-11-muajshe-intensitet-i-larte-ne-gjykimin-ndaj-shukri-bujes/

“Akti i Kuvendit Komunal i përcakton apo i obligon edhe departamentet apo sektorët që duhet ta zbatojnë këtë vendim. Pasi e merr vendimin Kuvendi Komunal, Kryetari i Komunës ka pasur për detyrë që brenda 8 ditëve nëse ka ndonjë vërejtje apo ankesë, çështjen ta rikthejë në shqyrtim në kuvendin komunal, e në rast se nuk ka ankesë e ka pasur për detyrë me e nënshkru dhe me e përcjellë te departamentet përkatëse që kanë qenë të obliguara ta zbatojnë atë vendim”, deklaroi Buja i cilin në lidhje me rastin konkret tha se nuk ka pasur ndonjë vërejtje.

Bazuar në shkresat e lëndës figuron se me datën 30 mars 2010, Buja me anë të një shkrese i është drejtuar kompanisë Ferronikel, me ç’rast ka kërkuar që shuma prej 21 mijë e 500 euro në emër të komisionit për vlerësim të patundshmërisë, të transferohej në llogarinë bankare personale të Nebih Zeqirit.

Cila ka qenë arsyeja për një kërkesë të tillë e pyeti të akuzuarin mbrojtësi i tij.

Për këtë kërkesë Buja tha se ajo ka qenë kërkesë e anëtareve të komisionit.

“Më sa më kujtohet kjo ka qenë kërkesë e anëtareve të komisionit, marrëveshje e tyre që mjetet financiare për komisionit të barten në xhirollogarinë e Nebih Zeqirit dhe unë si autoritet që e kisha formuar këtë komision u jam drejtuar me shkresë Ferronikelit që të i kryej obligimet financiare ndaj komisionit sipas marrëveshjes që ka bërë me komisionin”, tha ai.

Avokati Koci, klientin e tij e pyeti edhe në lidhje me një objekt të ndërtesës së laboratorit në Lipjan i cili është edhe objekt i aktakuzës, për të cilin prokuroria pretendon se komuna ja ka dhënë me qira kompanisë Ferronikel në vlerë prej 1 euro në muaj, për 10 vjet.

Për këtë kontratë, Buja tha se në Komunën e Lipjanit ndodhet kontrata e cila mund të merret dhe të shikohet se kush është qiradhënësi e kush qiramarrësi. Sipas tij, objekti i laboratorit të Ferronikelit është pronësi e Ferronikelit dhe Komuna e Lipjanit e ka marrë me qira për ta shfrytëzuar për 10 vite me marrëveshje për të paguar 1 euro në muaj.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Agron Bajrami, i akuzuari deklaroi se ai asnjëherë nuk ka marrë vendime për shpronësim pasi që këto vendime i ka marrë Kuvendi Komunal, siç është edhe vendimi për shpalljen e interesit të përgjithshëm për shpronësim të patundshmërisë në zonën kadastrale Medvec dhe Magure, me qëllim të eksploatimit të xehes së Nikelit.

Për këto vendime ai tha se i ka nënshkruar si Kryesues i Kuvendit Komunal dhe jo në cilësi të Kryetarit të  Komunës, e sa i përket nënshkrimeve tha se ato nuk thonë se ai i ka marrë ato vendime.

Të akuzuarin, prokurori e pyeti edhe në lidhje me shumën prej 75 mijë e 991 eurove mbi kompensimin e pronës komunale, të cilën shumë Buja kishte kërkuar që të derdhet në xhirollogarinë e klubit futbollistik “Ulpiana”.

Për këtë shumë Buja tha se ka qenë si kompensim për shtrimin e një rruge nga ana e kësaj kompanie.

“A konsideroni se ka qenë vendim i ligjshëm derdhja e mjeteve nga kompensimi mbi shpronësimin e pronës komunale në llogaritë e një klubi futollistik”, e pyeti të akuzuarin prokurori.

“Nuk e di a ka qenë i ligjshëm apo jo se nuk jam profesionist por e di që komuna e ka pasur për obligim ta ndihmojë sportin dhe klubet e sportit”, u përgjigj Buja i cili duke u përgjigjur në pyetjet e mëtejme të prokurorit deklaroi se edhe vetë kishe qenë anëtar dhe veteran i atij klubi.

Madje Buja tha se edhe djali i tij ka luajtur për këtë klub.

Gjykimi do të vazhdojë gjatë tërë ditës ku pritet që pas Bujës mbrojtjen ta japin edhe të akuzuarit e tjerë.

KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.

http://kallxo.com/?s=Shukri+Buja