Shukri Buja: Dënimi Im Ishte Politik

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor ish kryetarin e Lipjanit në akuzën për mosdeklarim të pasurisë.

Në seancën e sotme të shpalljes së aktgjykimit, Buja u dënua me 4 muaj burg me kusht dhe 2000 euro gjobë.

Aktgjykimi u lexua nga gjykatësja Syzana Qerkini.

Prokuroria ka ngritur aktakuzë me 4 dhjetor 2014 ndaj Bujës duke e akuzuar se në cilësinë e kryetarit të komunës së Lipjanit, nuk e ka raportuar pasurinë brenda afatit ligjor, pasi e ka përfunduar mandatin e tij në këtë post, edhe pse ka qenë i obliguar ta bëjë këtë.

Buja i PDK-së ka qenë kryetar i Lipjanit nga viti 2007 deri në fund të vitit 2013 kur humbi zgjedhjet nga rivali i tij Imri Ahmeti i LDK-së.

Pas përfundimit të seancës Buja e ka quajtur politik vendimin e gjykatës.

“Unë edhe në fjalën përfundimtare e kam thënë se nuk më qon peshë nëse me dënoni apo jo por më qon peshë që ju ta thoni të vërtetën se si është dhe për çka po dënohem. Kjo ndodhë pikërisht sot për shkak të një emërimi tim sepse është krejt lidhur me politikën”, tha Buja.

I pyetur më vonë rreth këtij emërimi, Buja tha se bëhet fjalë për emërimin e tij në një post qeveritar.

Por ai nuk deshi të zbulojë diçka më shumë.

“Nuk mund t ëzbuloj sepse nuk ka ende asgjë zyrtare”, tha Buja.

Ai u shpreh se gjykimi ndaj tij është përcjellë me anomali, ndërsa tha se ai është dënuar vetëm sa për të plotësuar evidencat e të dënuarave.

“Anomalia më e madhe është sepse unë e kam dorëzuar detyrën e kryetarit në dhjetor dhe kam kandiduar menjëherë për deputet të Kuvendit të Kosovës dhe po ashtu e kam deklaruar pasurinë. Janë formalitete të gjykatave për të evidentuar se kanë ndjekur zyrtarë të lartë shtetërorë apo komunalë, për të evidentuar evidencat e tyre banale anti-korrupsioni se po ndjek zyrtarë dhe janë dënuar pavarësisht se çfarë dënimi dhe shqiptojnë dënime për vepra penale”, tha Buja.

Avokati i Shukri Bujës, Bahtir Troshupa, pati vërejtje në vendimin e gjykatës dhe paralajmëroi ankesë ndaj vendimit.

“Nuk na është mundësuar që ta marrim në pyetje përfaqësuesin e Agjensionit Kundër Korrupsionit, ndërsa në një mënyrë vetëm sa për ta mbuluar formalisht kanë marrë një deklaratë jo-formale prej agjensionit, megjithëse edhe ata konform ligjit nuk kanë të drejtë ta përfaqësojnë agjensionin”, tha Troshupa.

Xhirimi në këtë rast nuk është lejuar nga gjyqtarja Syzana Qerkini.

Ajo nuk ka nxjerrë aktvendim për këtë siç e kërkon Kodi i Procedurës Penale, ndërsa arsyetimi i saj ka qenë që nuk ndihet komode për ta drejtuar seancën në prani të kamerave.

http://kallxo.com/shukri-buja-nervozohet-ne-gjykatesen-dhe-prokuroren/