Shuhet Zjarri në Malet e Fshatrave të Prishtinës

Zjarri që ka shpërthyer para disa ditësh në malet e fshatit Marevc, Butovc dhe Ballaban është shuar vetvetiu.

Banorë të Marevcit thonë se këto zjarre janë shkaktuar nga dora e njeriut. Dikush, sipas tyre, ka pasur ndonjë qëllim kur u ka vënë zjarrin maleve.

Hajriz Haxholli, banor i Marevcit, është i bindur se dikush u ka vënë zjarrin maleve. Ai mendon se me këtë veprim dikush ka dashur të fshehë prerjen e pyjeve.

“Mali nuk është djegur prej ndonjë temperature, pasi që koha nuk është aq e nxehtë për ta bërë një djegie të tillë ashtu siç ndodhë në stinën e verës. Besojmë se kjo është bërë nga vetë dora e njeriut, për fshehjen e gjurmëve të prerjeve ilegale të pyjeve”, thotë Haxholli.

Ky banor i këtij fshati malor të Prishtinës tregon se edhe pse janë njoftuar zjarrfikësit ata nuk kanë intervenuar aq sa duhet për ta ndalur zjarrin.

Që flaka të mos gllabëronte shtëpinë e tij ai është angazhuar vetë dhe të afërm të tij.

“Atëherë na e gjetëm një zgjidhe të vogël. E morëm zorrën me ujë nga çezma ku shtypja ishte e madhe dhe e ndërpremë dhe nuk e lamë të digjet shtëpia. Zjarri vazhdonte kah frynte era”, tha për KALLXO.com Hajriz Haxholli.

Ndërsa, banori tjetër, Maliq Haxholli thotë se të gjitha malet që janë djegur janë private dhe se atyre u janë djegur 25 hektarë pyje.

“Vetëm male që janë pronë e jona, në përgjithësi na janë djegur 25 hektarë”, tha ai.

http://kallxo.com/zjarri-pashuar-ne-marevc/