Shtyrje Tjetër në Rastin e Shyhrete Berishës

Mosprania e avokateve Shpresa Berisha dhe Shemsije Sheholli që mbrojnë të paditurit Arben e Xhelal Berisha ka bërë që të dështojë seanca e sotme në rastin e Shyhrete Berishës nga Suhareka.

Berisha është duke e vijuar betejën gjyqësore me kunatin rreth pronësisë së shtëpisë në të cilën ajo ka jetuar me bashkëshortin dhe katër fëmijët deri në ditën kur këta u vranë nga forcat serbe më 26 mars 1999.

Në seancë ishte i pranishëm vetëm avokati i Shyhrete Berishës, Naim Qelaj dhe të paditurit Xhelal e Arben Berisha,  ndërsa gjykatësi i njoftoi palët se avokatja Shpresa Berisha ka njoftuar me parashtresë, se nuk mundet të vijë në këtë shqyrtim, pasi që ka një lëndë tjetër penale në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Qelaj tha për KALLXO.com se shtyrjet e shpeshta të këtij gjykimi po e vonojnë shpalljen e vendimit.

“Zvarritja dhe zgjatja një kohë të gjatë të gjykimeve disi po e zbeh edhe vetë qëllimin e gjykimit, ose vetë të drejtën që e ka kërkuar pala. Në njëfarë mënyrë po le me kuptuar se edhe gjykata po është në pozitë jo shumë të mirë, sepse palët po kanë mundësi me zvarritje, shtyrje të ndryshme, me krijuar situata-në fakt nuk po mundet me ardhë deri te një vendim meritor,” tha avokati Qelaj.

Seanca e ardhshme u caktua për 26 korrik, ku në cilësinë e palës do të dëgjohen të paditurit.

Shyhrete Berisha i ka mbijetuar masakrës së familjes Berisha, të 26 marsit 1999, në të cilën asaj iu vranë bashkëshorti dhe katër fëmijët, më i riu prej të cilëve ishte nën dyvjeçar, ndërsa vetë ajo mbeti e plagosur.

Mirëpo, pas luftës, më 2001 ajo nisi një betejë gjyqësore me kunatin e saj, Xhelal Berisha, i cili i mori shtëpinë në të cilën Shyhretja kishte jetuar me familjen e saj deri në ditën e masakrës.

Edhe seanca e kaluar e këtij gjykimi e përcaktuar të zhvillohej më 6 qershor u shty për shkak të vdekjes së vjehrrës së Shyhrete Berishës.

http://kallxo.com/shyhrete-berishes-vdes-vjehrra-shtyhet-seanca/