Shtylla - FOTO KALLXO

Shtylla elektrike nxit ankesa në Prizren

Gani Zogaj, banor i Prizrenit po ankohet për një shtyllë elektrike afër shtëpisë së tij që sipas tij paraqet rrezik për jetesë.

Zogaj tha se ka kohë që ka problem me shtyllën elektrike, e cila sipas tij po e rrezikon qëndrimin në shtëpi edhe pse ai jeton përkohësisht në Kosovë.

Lidhur me këtë problem, Zogaj tha se  e ka paditur KEDS-in.

“Kam bo disa herë kërkesë, por nuk kam marrë përgjigje, e kam marrë tash një avokat tu mendu që ai më kryen punë, por edhe ai nuk më ka kthyer përgjigje, padinë ma ka dërgu përmes telefonit, nuk më ka thirrë me shku me marrë”, tha Zogaj.

Zogaj tha se kjo shtyllë elektrike po i shkakton probleme edhe me fqinjtë.

Këtë padi Zogaj e ka bërë para dy vitesh dhe prej atëherë po vazhdon ta ketë problemin ende.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala tha për Kallxo.com se kjo padi nuk ka shkuar te pala e paditur, që në këtë rast është KEDS në Prizren.

“KEDS nuk ka pranuar asnjë vendim të gjykatës qe ju i referoheni për rastin në fjalë. Madje, lidhur me këtë rast gjykata nuk ka vepruar ende, pasi që neve si palë e paditur nuk na ka arritur as padia në fjalë. Prandaj nuk ka as vendim meritor nga gjykata në fjalë”, tha Buzhala për KALLXO.com.

KALLXO.com ka kontaktuar me Gjykatën Themelore në Prizren, ku sipas zëdhënëses së gjykatës kjo padi ka shkuar në gjykatë dhe është në proces.

“Kjo lëndë është në punë, është në proces” ka thënë Afërdita Kicaj, zëdhënësja e gjykatës  në Prizren për KALLXO.com.

Avokati i Gani Zogajt, Nexhat Elshani tha se KEDS nuk po e pranon padinë me arsyen se shtëpia e Zogajt është ndërtuar pasi që KEDS ka vendosur aty shtyllën.

“Rasti është në procedurë dhe jam duke u munduar vet për këtë proces, KEDS nuk po e pranon padinë, as nuk po don me dhanë dëmshpërblim as me e heq shtyllën dhe tash jam duke u marrë personalisht me këtë, pasi që edhe ju më keni telefonuar kam vendosur të merrem vet”, tha Elshani për KALLXO.com.