Shtyhet seanca për vrasjen e Triumf Rizës, Burgu i Dyzit nuk pati kërkesë për ta dërguar Enver Sekiraqën në Gjykatë

Seanca e cila ishte planifikuar që të mbahej sot në lidhje me vrasjen e ish- pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Triumf Riza është shtyrë për datën 25 qershor.

Kjo për shkak të mungesës së të akuzuarit kryesor për shtytje në vrasje, Enver Sekiraqa.

Kryetari i trupit Gjykues, Agim Kuçi në seancë tha se ka lëshuar urdhëresë për sjelljen e Sekiraqës në seancë por përgjigje në urdhëresë nuk kishte marrë nga ana e Burgut të Sigurisë së Lartë.

Në lidhje me pretendimet e gjyqtarit Kuçi, KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga ana e Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Florent Gashi zëdhënës në këtë institucion ka dhënë sqarime në lidhje me rastin ndërsa ka demantuar edhe disa lajme të cilat kanë qarkulluar gjatë ditës së sotme në lidhje me këtë rast.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinionin publik se, SHKK nuk ka pasur asnjë urdhëresë për ta dërguar sot në seancë personin në fjalë”, tha Gashi për KALLXO.com.

Enver Sekiraqa akuzohet se kishte nxitur Arben Berishën për vrasjen e Triumf Rizës, vrasje që ndodhi më 30 gusht 2007.

Triumf Riza ishte vrarë më 30 gusht 2007, e që sipas Prokurorisë rasti kishte ndodhur pasi ai kishte dalë nga lokali ‘AM:PM’, dhe ishte duke shkuar në drejtim të makinës së tij kur ishte qëlluar me 11 plumba prapa shpinës, tre nga të cilët ishin vdekjeprurës për të.

Sipas mbrojtjes së Sekiraqës, ai nuk kishte të bënte asgjë me Arben Berishën dhe Sekiraqa në asnjë mënyrë nuk e kishte nxitur, urdhëruar apo nuk i kishte premtuar dhuratë Arben Berishës.

Arsyeja se pse Arben Berisha e kishte vrarë Triumf Rizën, sipas mbrojtjes së Sekiraqës, kishte qenë shkaku se Triumf Riza disa herë e kishte rrahur Arben Berishën.

Në mesin e dëshmitarëve të cilët u dëgjuan për këtë rast ishte edhe vet i dënuari për vrasjen e Triumf Rizës, Arben Berisha.

Arben Berisha gjatë dëshmisë së tij kishte deklaruar se Enver Sekiraqën e kishte njohur vetëm si figurë.

Gjatë dëshmisë së tij Berisha gjatë gjithë kohës ka insistuar se nuk kishte kryer asnjë shërbim për Sekiraqën, duke theksuar se ndjehej shumë i penduar pse e kishte vrarë Triumf Rizën.

“Po unë e kam kry këtë vrasje, unë veten nuk e ndjej fajtor se unë Triumfin e kam vra për arsye të mia dhe e kam cekur edhe në deklarata dhe jam penduar shumë për këtë gjë”, kishte thënë Berisha.

Për vrasjen e Triumf Rizës, Arben Berisha si ekzekutor ishte dënuar me 35 vite burg.

Në maj të vitit 2016, Gjykata e kishte gjetur fajtor dhe dënuar me 37 vjet burg Enver Sekiraqën ndërsa pas ankesës së mbrojtjes, Apeli e kishte kthyer çështjen në rigjykim.