Shtyhet Seanca për Vjedhjen e 290 Mijë Eurove
Seanca gjyqësore në rastin e vjedhjes së 290 mijë eurove në BKT është shtyrë për shkak se mungoi i akuzuari.
Kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, pas fillimit të seancës tha se ai ka pranuar një e-mail nga avokati Besnik Berisha, mbrojtës i Bujar Maliqit, përmes të cilit ai e ka njoftuar gjykatën se i akuzuari Bujar Maliqi është i sëmurë dhe gjendet në QKUK për trajtim.
Në këtë seancë ka munguar edhe i bashkakuzuari tjetër Xhemajl Maliqi, i cili akuzohet për manipulim me prova.
Gjithashtu, në seancë mungoi edhe prokurori.
Në mungesë të krijimit të kushteve për mbajtjen e kësaj seance kryetari i trupit gjykues u detyrua ta shtynte për kohë të pacaktuar.
Prokuroria Themelore në Prishtinë e akuzon Bujar Maliqin se më 10 janar të vitit 2014 në degën e bankës BKT në Podujevë, gjatë orarit të punës, ka vjedhur paratë e qarkullimit ditor, në atë mënyrë që nga kasaforta ka marrë 290 mijë euro.
Ai akuzohet se të njëjtat i ka vendosur në një vend të panjohur, ndërsa më 11 janar rreth orës 1:20 pas mesnate ka shkuar në bankë dhe i ka marrë paratë duke kryer kështu veprën e vjedhjes së rëndë. Ndërsa i akuzuari tjetër në këtë rast, Xhemajl Maliqi akuzohet për veprën penale manipulimit me prova.
KALLXO.com ka shkruar edhe më parë për këtë rast.
http://kallxo.com/auditorja-deshmon-ne-gjykimin-per-vjedhjen-e-290-mije-eurove-nga-banka/
http://kallxo.com/punetori-i-bankes-del-para-gjykates-per-vjedhjen-e-290-mije-eurove/