Mimoza Kusari- Lila, kryetare e Komunës së Gjakovës

Shtyhet Seanca për Tentim-Vrasjen e Mimoza Kusari-Lilës

Seanca e gjykimit të Mikel  Qupit për tentim-vrasjet e Mimoza Kusari-Lilës dhe bashkëfshatarit të tij Prenk Radi është shtyrë për  të dytën herë në mungesë të dëshmitarit bashkëpunues të Prokurorisë Speciale.

Gjykata  kishte paraparë të mbante shqyrtimin gjyqësor ndaj të akuzuarit Mikel Qupi, por seanca nuk u zhvillua meqë mungoi dëshmitari bashkëpunues Gramoz Nukshiqi që jeton në Shqipëri, ndërsa pretendohet të jetë njëri nga personat e paguar për të kryer vrasjet.

Dëshmitari bashkëpunues nga ana e gjykatës është ftuar në mënyrë të rregullt përmes Ministrisë së Drejtësisë nga Divizioni për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, por nuk është mundësuar prania e tij.

“Ne rrugë tjetër nuk kemi përveç se Ministrisë së Drejtësisë-Divizionit për bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar që ta sigurojmë të njëjtin. Duhet ta pyesim prokurorin pse nuk është prezent sot dëshmitari bashkëpunues meqë është caktuar si dëshmitar bashkëpunues nga ana e prokurorit” tha kryetari i trupit gjykues Gëzim Pozhegu.

Prokurori i Prokurorisë Speciale, Ali Rexha tha se bashkë me hetuesit e tij nuk kanë mundur ta sigurojnë praninë e Gramoz Nukshiqit në gjykatë.

“Përkundër përpjekjeve nuk kam mundur me siguru asgjë pasi që hetuesit që janë duke u marrë me këtë rast nuk kanë informata të tjera edhe ata disa janë në trajnime, kështu që nuk kemi mund të sigurojmë kurrfarë informate konkrete pse nuk ka ardhë dëshmitari ” tha prokurori Rexha.

Avokati Mustafë Radoniqi, përfaqësuesi i autorizuar i të dëmtuarës MimozaKusari-Lila, tha se ka informata që organeve të rendit në republikën e Shqipërisë nuk u është kërkuar sjellja e Gramoz Nukshiqit.

“E dëmtuara Mimoza Kusari-Lila ka qenë në Shqipëri dhe është interesu që të kuptojë se a është dërgu kërkesa për sjelljen e dëshmitarit në këtë gjykim dhe ajo është informu se nuk ka kurrfarë kërkese të dërguar nga ministria,” tha avokati radoniqi, duke kërkuar që ky fakt t’i bëhet i ditur Ministrisë së Drejtësisë.

Ndërkaq i dëmtuari në këtë rast Prenk Radi u shpreh shumë i zhgënjyer me pafuqinë e sistemit të drejtësisë për mosprezencën e dëshmitarit bashkëpunues.

“Nëse nuk mundeni ju si shtet, si  gjykatë, si Prokurori Speciale e Kosovës me një shtet që thuja jemi një shtet me pru një person në mënyrë juridike ma jepni lejen mu, nesër keni me pas njerin në gjyq, unë e bi në mënyrë private. Atëherë mos më thirrni ma, këtu ka zvarritje, këtu ka dallavere,” tha i dëmtuari Radi.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet me 15 nëntor të këtij viti.

Mikel Qupi akuzohet se u mor vesh me dy shtetas të Shqipërisë për vrasjen e Mimoza Kusari-Lilës gjatë muajit korrik të vitit 2015.

Për vrasjen e kryetares së Gjakovës, Qupi sipas prokurorisë u premtoi 300 mijë euro dy shtetasve shqiptarë.

Qupi ka mohuar fajësinë në vazhdimësi gjatë procesit gjyqësor.