Shtyhet Seanca për Dëmtimin e Makinave të EULEX-it

Seanca e këtij gjykimi u shty në kohë të pacaktuar, ngase munguan shumica e të akuzuarve.

Në gjykim nuk erdhën as deputeti Glauk Konjufca dhe sekretari organizativ i “Vetëvendosjes” Dardan Molliqaj.

Shumë seanca të mëhershme të këtij gjykimi janë shtyrë pikërisht për shkak të mungesave të aktivistëve të “Vetëvendosjes” në to.

Në këtë gjykim vazhdimisht ka marrë pjesë vetëm ish-aktivisti i këtij subjekti Rron Gjinovci.

Një seancë e këtij gjykimi u zhvillua në mars, pasi aktivistët u sollën me forcë në gjykatë.

Pas kësaj seance gjyqtari Vesel Ismajli i la të lirë Glauk Konjufcën e Dardan Molliqajn, edhe pse Molliqaj i tha atij se nuk do të merrte pjesë në seancën e radhës.

http://kallxo.com/gjykimi-dhe-protesta-e-akivisteve-te-vv-se/

Në këtë proces gjyqësor të akuzuar janë Glauk Konjufca, Xhelal Sveçla, Besfort Berisha, Zgjim Hyseni, Lirim Gashi, Salih Zyba, Rron Gjinovci, Salih Mehmeti, Naser Shatri, Bujar Voca, Kasim Uka, Arbër Nuredini, Fatmir Kurtaj, Asdren Peci, Fatmir Haziri, Ramadan Deliu, Faruk Dakaj, Frashër Krasniqi, Skënder Merturi, Pajtim Demaj, Flamur Arifaj, Kushtrim Zeqiri, Kujtim Kosumi, Dardan Molliqaj, Skender Blakaj, Blerim Maçastena dhe Lulzim Xhaka.

Aktakuza lidhet me aksionin e Lëvizjes “Vetëvendosje” të 25 gushtit 2009, kur në parkingun e EULEX-it afër stadiumit të Prishtinës, grupi i të akuzuarve me mjete të ndryshme dëmtuan dhe kthyen përmbys makinat e Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit.