Çekani i gjykatës - Foto: KALLXO.com

Shtyhet Seanca në Rastin ‘Çekiçi’

Gjykimi për vrasjen e Naim Hajrizit, në rastin e njohur si “Çekiçi”, u shty në mungesë të kushteve për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor.

Shkak i kësaj shtyrje u tha të ketë qenë mungesa e avokatit Ramë Dreshaj, i cili momentalisht ndodhet jashtë vendit.

Në mungesë të kushteve për mbajtje të seancës, nga paraburgimi nuk ishin sjellë as të akuzuarit pasi që Gjykata kishte qenë e njoftuar me kohë për mungesën e avokatëve, gjë për të cilën i kishte njoftuar edhe palët e tjera në procedurë.

Gjatë kësaj seance ishte planifikuar që si dëshmitarë të dëgjoheshin policët hetues Zymer Gashi, Emin Beqiri e Lulzim Hosteni.

Në mungesë të kushteve elementare për mbajtjen e seancës kryetari i trupit gjykues Vesel Ismajli seancën e radhës e caktoi për datën 5 shkurt.

Prokuroria akuzon Gëzim Retkocerin dhe Osman Spahiun se më 29 prill të vitit 2009 me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore e kanë rrëmbyer tani të ndjerin Naim Hajrizi dhe pastaj e kanë goditur me mjete të forta duke e mbytur.

Spahiu dhe Retkoceri në korrik të vitit 2015 ishin dënuar me nga 30 vjet burgim por pas ankesës së mbrojtjes Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor. Raportet mund t’i gjeni në këtë link.