Policia kontrollon një maune në Autostradë - Foto: PK

Shtyhet Seanca në Gjykimin e Policëve të Akuzuar për Ryshfet

Kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, deklaroi se për mosprezencën e të akuzuarit Shefki Zeka Gjykata është njoftuar nga mbrojtësi i tij Arsim Bilalli.

“Mbrojtësi i të akuzuarit Shefki Zeka, avokat Arsim Bilalli me datën 14.08.2017 me anë të një parashtrese e ka njoftuar Gjykatën se i akuzuari ka pësuar aksident komunikacioni dhe nuk mund të marrë pjesë në shqyrtimin e sotëm”, tha gjyqtari Artan Sejrani.

Prokuroria e Prizrenit në aktakuzë pretendon se policët gjatë patrullimit në Autostradën ”Ibrahim Rugova” kanë mbledhur në mënyrë të kundërligjshme shuma të të hollave, deri në qindra euro, të cilat më pas i kanë ndarë mes vete në mënyrë proporcionale.

Të akuzuarit e këtij rasti janë; Shemsi Demolli, Safet Veliu, Naser Rama, Afrim Rafuna, Muhamet Buzhala, Ivica Djokiç, Ismail Azemi, Alush Elshani, Blerim Zylfaj, Bekim Zogaj, Qerim Beqiri, Azem Goxhufi, Ardian Rrecaj, Sasha Nedeljkovic, Shaban Gerguri, Shemsi Zejnullahu, Aziz Krasniqi, Lulzim Gashi, Shefki Zeka dhe Nuhi Zogaj.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit gjatë dhjetorit të vitit 2016 gjatë patrullimit në Autostradën “Ibrahim Rugova”, si bashkëkryerës duke vepruar në kuadër të autorizimeve zyrtare, në mënyrë të drejtpërdrejt kërkojnë dhe pranojnë dhurata nga shkelësit e rregullave të trafikut në mënyrë që të mos veprojnë në pajtim me detyrën e tyre zyrtare, duke mos u shqiptuar atyre dënimet kundërvajtëse.

Më 22 qershor kur dolën para Gjykatës së Prizrenit policët e akuzuar për marrje ryshfeti u deklaruan të pafajshëm.

Ndërsa, në seancën e 14 korrikut, dy prej të akuzuarve, Muhamet Buzhala e Alush Elshani, e kanë pranuar fajësinë rreth akuzave që u vihen në barrë.

20 policët e kontrollit të autostradave ishin arrestuar në dhjetor të vitit të kaluar në kuadër të një aksioni gjigant të ndërmarrë nga Inspektorati Policor i Kosovës, gjatë të cilit ishin arrestuar gjithsej 50 zyrtarë policorë.

Sipas një hulumtimi të KALLXO.com, zyrtarët policorë akuzohen se kanë marrë ryshfet nga ngasësit e ndryshëm në euro dhe dinarë serbë.

http://kallxo.com/si-ndanin-euro-t-dhe-dinaret-policet-e-akuzuar-per-marrje-ryshfeti/