Gjykimi i Sami Lushtakut për ikjen nga QKUK-ja | Foto: KALLXO.com

Shtyhet Seanca ndaj Sami Lushtakut për Arratisjen nga QKUK-ja

Në seancën e gjykimit të Sami Lushtakut dhe 23 personave tjerë për arratisjen nga QKUK-ja, avokati Ragip Zeneli u ankua se nuk i ka shkresat e lëndës.

Kjo ishte arsyeja pse u shty kjo seancë.

Para shtyrjes së seancës, avokati Arben Qerkini kërkoi të përjashtohet si provë një dokumentacion nga Serbia, pasi tha se ai është siguruar nga një shet tjetër  duke mos u zbatuar dispozitat e Ligjit për ndihmë juridike ndërkombëtare.

Qerkini nuk tregoi për çfarë prove bëhet fjalë, por prokurori Romulo Mateus tha se avokatët në këtë fazë të gjykimit kanë të drejtë vetëm ta kërkojnë vetëm hedhjen poshtë të aktakuzës.

Mateus megjithatë ia la në duar gjykatës nëse dëshiron që avokatit t’i japë afat shtese për paraqitjen e kësaj kërkese.

Në seancën e sotme mungoi Myrvete Lushtaku, gruaja e sami Lushtakut që gjithashtu është e akuzuar me arsyetimin se e ka të sëmurë një anëtar të ngushtë të familjes.

Seanca e radhës u caktua më 2 shkurt.

Aktakuza e cila përfshin një varg zyrtarësh të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, përshkruan pretendimet për mënyrën se si u arratis Lushtaku nga burgu duke treguar makinën dhe personin i cili e barti atë nga spitali drejt një banese.

E njëjta përshkruan mënyrën se si pas arratisjes së Lushtakut drejtori i Burgut të Prishtinës ishte avancuar në krye të Shërbimit Korrektues.

Pjesë e aktakuzës është edhe i biri i Lushtakut, Mërgimi, roli i të cilit përshkruhet në këtë akt të Prokurorisë.

Aktakuza përshkruan edhe përfshirjen e zyrtarëve tjerë të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët refuzuan ta transferonin Lushtakun në Burgun e Mitrovicës.

Në këtë aktakuzë edhe mjekë të QKUK-së ngarkohen se dhanë diagnoza të falsifikuara për Lushtakun, e po ashtu pjesë e aktakuzës janë edhe bashkëpunëtorë të Lushtakut të cilët u ofruan dëshmitarëve para e banesa në këmbim të deklaratave.

Aktakuza për arratisjen nga QKUK-ja u ngrit vitin e kaluar.