Gjykimi për vjedhje të televizorëve – Foto: KALLXO.com

Shtyhet seanca ndaj dy të akuzuarve për vjedhje të televizorëve

Në Gjykatën Themelore të Gjakovës ishte e paraparë të mbahej gjykimi ndaj dy të akuzuarve për vjedhje të televizorëve.

Kreshnik Baraku dhe Besnik Rudi po ngarkohen me veprat e vjedhjes së rëndë në bashkëkryerje, të konsumuar gjatë vitit 2013.

Në seancën e sotme, prokurori i shtetit Armend Zenelaj i propozoj Gjykatës që të bëhet bashkimi i dy procedurave penale, meqenëse të pandehurit janë të njëjtë e po ashtu edhe veprat penale janë të natyrës së njëjtë.

Ndërsa dy të akuzuarit Kreshnik dhe Besnik, kërkuan nga gjyqtari Mentor Bajraktari, që t’u caktohet një avokat nga Oda e Avokatëve, me arsyetimin se janë në vuajtje të dënimit dhe në pamundësinë e angazhimit të avokatëve për shkak të gjendjes së dobët ekonomike.

Sipas aktakuzës, dy të akuzuarit kishin hyrë me forcë në shtëpinë e të dëmtuarit Fadil Hyseni dhe kishin marrë një televizor të tipit “Samsung”, në vlerë prej 1400 frang zvicerane.

Aktakuza shpjegon se Kreshniku dhe Besniku përsëri në bashkëkryerje kanë hyrë në restorantin e të dëmtuarit Latif Ibrahimi dhe kanë marrë një televizor të tipit “Vivex”, në vlerë prej 300 euro.

Në gjykimin e sotëm, mbrojtësit e dy të akuzuarve për vjedhje të rëndë në bashëkryerje, avokatët Avdi Rizvanolli dhe Afrim Radoniqi, nuk e kundërshtuan propozimin e prokurorit të shtetit për bashkimin e dy lëndëve penale.

Para se të akuzuarit të deklarohen lidhur me akuzën e Prokurorisë, avokati Afrim Radoniqi kërkoi nga Gjykata që ky shqyrtim fillestar të shtyhej për një datë tjetër, me arsyetimin që ende nuk janë të pajisur me të gjitha shkresat e lëndës nga ana e Prokurorisë.

Ndërkaq sot në sallë të gjykimit nuk ishin prezentë dy të dëmtuarit Fadil Hyseni dhe Latif Ibrahimi, të cilët nuk e kishin arsyetuar mungesën e tyre para Gjykatës.

Pas kësaj gjyqtari Mentor Bajraktari shtyu shqyrtimin fillestar për datën 27 nëntor.