Mimoza Kusari- Lila, kryetare e Komunës së Gjakovës

Shtyhet Prapë Seanca për Tentim-Vrasjen e Kusari-Lilës

Gramoz Nukshiqi, dëshmitari bashkëpunues nga Shqipëria në gjykimin e Mikel Qupit për porositje të vrasjes së Mimoza Kusari-Lilës dhe Prenk Radit nuk u paraqit në gjykatë.

“Nuk është prezent dëshmitari Gramoz Nukshiqi, edhe pse për herë të dytë është ftuar nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë-Divizionit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar. I njëjti thirrjen e ka pranuar por nuk asiston në seancën e sotme dhe nuk e arsyeton mungesën e tij në këtë seancë,” tha kryetari i trupit gjykues, Gëzim Pozhegu.

Pozhegu pastaj shtyu seancën në afat të pacaktuar, derisa të sigurohet prania e Gramoz Nukshiqit në gjykatë.

Prokurori i Prokurorisë Speciale Ali Rexha deklaroi se duhet të shqyrtohet mundësia që Nukshiqi të merret në pyetje në Republikën e Shqipërisë.

“Meqenëse Kodi i Procedurës Penale e lejon që dëshmitari të sillet me dhunë, ne duhet të pyesim edhe përmes ministrisë se a është e mundshme të veprohet edhe me dëshmitarin i cili gjendet jashtë shtetit. Mundësia tjetër është që së bashku trupi gjykues me palët tjera në procedurë të shkojë në Shqipëri në ndonjë vend siç është Tropoja apo Tirana ku ka kushte dhe të merret në pyetje dëshmitari Gramoz Nukshiqi,” tha prokurori Rexha.

Mustafë Radoniqi, përfaqësues i autorizuar i Mimoza Kusari-Lilës u ankua se nuk ka parë komunikim mes Kosovës e Shqipërisë për ta sjellë në Gjykatën e Gjakovës Gramoz Nukshiqin.

“Nuk dëgjova se ka pasur farë komunikimi të organeve tona dhe të Shqipërisë lidhur me këtë rast, edhe pse mendoj se shteti i Shqipërisë është i interesuar krimet t’i ndjekë dhe ti gjykojë dhe konsideroj që ka bashkëpunim të mirëfilltë mes këtyre dy shteteve. Është e nevojshme që të vihen kontakte në mes të kësaj gjykate dhe organeve përkatëse të Shqipërisë dhe me siguri se do të sigurohej prezenca e këtij dëshmitari,” tha avokati Radoniqi.

KALLXO.com shkroi edhe për shtyrjen e seancës së 17 shtatorit kur po ashtu mungoi  Gramoz Nukshiqi.

http://kallxo.com/shtyhet-seanca-per-tentim-vrasjen-e-mimoza-kusari-liles/

Mikel Qupi akuzohet se u mor vesh me dy shtetas të Shqipërisë për vrasjen e Mimoza Kusari-Lilës gjatë muajit korrik të vitit 2015. Për vrasjen e kryetares së Gjakovës, Qupi sipas prokurorisë u premtoi 300 mijë euro dy shtetasve shqiptarë, njëri nga të cilët ishte Gramoz Nukshiqi.

Qupi ka mohuar fajësinë në vazhdimësi gjatë procesit gjyqësor.