Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Shtyhet Gjykimi për Vjedhjen në Depon e UNHCR-së

Është shtyrë seanca e gjykimit të Rami Hulajt për shkak të mungesës së një anëtareje të trupit gjykues.

Në kohën kur ishte paraparë ky gjykim, anëtarja e trupit gjykues Valbona Selimaj ndodhej në një gjykim tjetër.

Prandaj kryetari i trupit gjykues Faik Hoxha shtyu seancën, ngase nuk ishin krijuar kushtet ligjore për mbajtjen e saj.

Seanca e radhës e këtij gjykimi u caktua më datën 17 tetor.

Prokuroria e akuzon Rami Hulajn se përvetësoi mjete nga depoja e Komisariatit të Lartë për Refugjatë të OKB-së (UNHCR) ku punonte.

Sipas aktakuzës, gjatë muajit tetor 2011 derisa ka qenë duke punuar si depoist në depot e UNHCR-së të cilat gjenden në fshatin Milloshevë të Komunës së Obiliqit, i pandehuri me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, bashkë me personat e paidentifikuar deri më tani ka përvetësuar 254 copë mbulesa të plastikës me mbishkrim UNHCR me ngjyrë të kaltër në vlerë të përgjithshme prej 5310 dollarëve thuhet në aktakuzën e prokurorisë.

I akuzuari Hulaj në seancat e kaluara është deklaruar i pafajshëm për akuzën me të cilën ngarkohet nga prokuroria.