Gjykimi për terrorizëm | Foto: KALLXO.com

Shtyhet Gjykimi për Terrorizëm

Gjykimi ndaj 11 të akuzuarve për vepra terroriste u shty për mungesë të njërit nga ta dhe një avokati.

Në seancë nuk u paraqitën i akuzuari Artan Kadriu dhe avokati Selim Lajqi që mbron Egzon Latifin.

Artan Kadriu që është i vetmi nga të akuzuarit që ndodhet në paraburgim, nuk u soll nga qendra ku po mbahet.

Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë më datën 7 maj 2015 ndaj Kujtim Bytyqit, Hadi Nurës, Besim Shabanit, Betim Ibrahimajt, Adil Bushit, Egzon Latifit, Jetmir Bushit, Artan Kadriut, Bekim Halilit, Zijadin Berishës dhe Jeton Hajdinit.

Hadi Nura, Besim Shabani, Betim Ibrahimaj, Adil Bushi, Egzon Latifi, Jetmir Bushi, Artan Kadriu, Bekim Halili, Zijadin Berisha dhe Jeton Hajdini nga prokuroria akuzohen për veprën penale organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste, ndërsa Kujtim Bytyqi është i akuzuar për armëmbajtje pa leje.

Edhe Bekim Halili e Zijadin Berisha, përpos për pjesëmarrje në grupe terroriste ngarkohen edhe për armëmbajtje pa leje.

Në seancat e kaluara, Artan Kadriu, Zijadin Berisha, Betim Ibrahimaj dhe Adil Bushi kanë pranuar fajësinë për veprën penale organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste.

Ndërsa Kujtim Bytyqi kishte pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje, pjesërisht e kishin pranuar fajësinë në seancën e kaluar edhe Bekim Halili dhe Zijadin Berisha vetëm për armëmbajtje pa leje.

KALLXO.com shkroi vazhdimisht për këtë gjykim.