Gjykimi për terrorizëm - 12.04.2019

Shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarve për planifikim të sulmeve terroriste

Mungesa e anëtares së trupit gjykues Nushe Kukaj – Mekaj, bëri që të shtyhet gjykimi ndaj Bujar Behramit, Resim Kastratit, Gramos Shabanit, Albert Ademajt, Leotrim Musliut dhe Edona Halitit, të cilët akuzohen nga Prokuroria Speciale se kanë planifikuar sulmeve terroriste në Kosovë, Francë e Belgjikë.

Kryetari i trupit gjykues Mustafë Tahiri, njoftoi se gjykatësja Nushe Kukaj – Mekaj nuk mund të jetë e prezente në seancën e sotme.

“Mungon anëtarja e trupit gjykues e cila e ka njoftuar kryetarin se ka një rast urgjent në familje dhe nuk ka mundur të paraqitet me kohë në shqyrtimin e sotëm gjyqësorë edhe pse e njëjta ka njoftuar se do të bëjë përpjekje. Mirëpo, për shkak të rrethanave e njëjta nuk mund të paraqitet”, tha gjykatësi Mustafë Tahiri.

Ndërsa prokurori special Afrim Shefkiu deklaroi se provat qw janë urdhëruar të sigurohen nga autoritetet gjermane, të njëjtat me 10 prill 2019 i ka pranuar dhe se të njëjtat do të bën përpjekje që deri në seancën e radhës ato të cilat janë relevante për këtë çështje penale për të akuzuarin Bujar Behrami do t`i përkthej në kohë dhe do t’ia dorëzojë palëve.

Mbrojtësi i të akuzuarit Leotrim Musliu, avokati Hamdi Podvorica kërkoi që të mbrojturit të tij Leotrim Musliut t`i ndërpritet masa e paraburgimit, ngase sipas tij kanë pushuar të gjitha shkaqet për vazhdimin e kësaj mase. Ai  kërkoi që për klientit të tij  t`i zëvendësohet masa e paraburgimit me masën e paraqitjes në stacion policor ose në arrest shtëpiak.

Edhe avokati Hazir Hamza ju bashkëngjitë kësaj kërkese për ndërprerjen e masës së paraburgimit ndaj të akuzuarit Albert Ademaj. Kërkesë të njëjtë pati edhe mbrojtësi i të pandehurit Resim Kastrati, avokati Hamdi Jashanica.

Kurse i akuzuari Resim Kastrati tha se nga shkresat që dje i ka pranuar posaçërisht nga transkriptet e telefonatave, sipas tij ato janë të shkëputura dhe nuk janë të plota, andaj kërkoi nga policia që këto transkripte të jenë të kompletuara, sepse sipas tij janë nxjerrë vetëm një pjesë e tyre. I akuzuari Kastrati poashtu kërkoi që ta ketë edhe CD e bisedave të përgjuara.

Mirëpo prokurori Shefkiu pati kundërshtime në lidhje me ndalimin e masës së paraburgimit.

“Kundërshtoj propozimin e mbrojtësve për heqjen e paraburgimit sepse akoma ekzistojnë shkaqet për vazhdimin e masës së paraburgimit duke marrë parasysh peshën e veprës penale, rrezikshmërinë shoqërore dhe sigurimin e të akuzuarve në procedurë. Sa i përket kërkesës së të akuzuarit Kastrati, i njëjti  është njoftuar edhe më parë se prokurori i ka kryer obligimet me rastin e dorëzimit të shkresave të lëndës avokatit të tij edhe transkriptet e bisedave telefonike. Megjithatë ne e kemi një kopje të CD-së që do administrohet në seancën e radhës dhe për shkak të korrektësisë të njëjtat do t`i dorëzoj që tani në këtë shqyrtim gjyqësorë”, tha prokurori Shefkiu.

Gjithashtu prokurori tha se CD-të do t`i dorëzohen të akuzuarit  Kastrati përmes zyrtarëve korrektues në qendrën paraburgimit dhe do mbikëqyret nga zyrtarët e këtij shërbimi për shkaqe sigurie.

Kryetari i trupit gjykues Mustafë Tahiri i njoftoi avokatët lidhur me propozimin e tyre se do të vendos në seancën e radhës kur të kompletohet trupi gjykues.

Seanca e radhës është caktuar për datën 23 dhe 24 ora prill.

Gjykimi për terrorizëm – 12.04.2019

Planet e grupit për sulme terroriste sipas dosjes së Prokurorisë

Grupi i organizuar sipas Prokurorisë kishte plane të ndërtonte një rrjet terrorist në Kosovë.

Në lidhje me këto plane Prokuroria Speciale po i akuzon këta 6 persona, Bujar Behramin me nofkën Ebu Musab El –Albani, Resim Kastrati me nofkën Pc Habibi, Gramos Shabani, Albert Ademaj, Leotrim Musliu dhe Edona Haliti.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale përshkruhet synimi i formimit të një organizate e cila do të përgatiste sulme terroriste dhe vetëvrasëse në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni.

Bujar Behrami dhe Resim Kastrati akuzohen se që nga dhjetori  i vitit të kaluar e deri më 29 qershor të këtij viti kanë përgatitur sulme terroriste në Kosovë.

Bujar Behrami njëkohësisht akuzohet se ka tentuar të krijojë grupin me emrin ‘Ndihmëtarët e shtetit Islam në Tokën e Shqiponjave’, grup që do të vepronte në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni për të përgatitur sulme terroriste.

Caku i përzgjedhur për t’u sulmuar siç përshkruhet në dosjen e Prokurorisë ishin diskotekat “Kamboxha”, dhe “Insomnia”,  në Graçanicë si dhe Kisha Ortodokse afër kafenesë “Moskva” në pjesën veriore të Mitrovicës.

Aktakuza thekson se detyra e furnizimit me armë, materie eksplozive dhe gjetja e personave për vendosjen e jelekëve me eksplozivë sipas aktakuzës i ishte ndarë Resim Kastratit.

Kastrati për sigurimin e materieve eksplozive dhe armëve të zjarrit kishte pranuar rreth 9,000 euro, përmes “Money Gram”, dhe “Western Union, thuhet në aktakuzë.

Ndërsa për kryerjen e sulmeve në Belgjikë dhe Francë, sipas Prokurorisë, ishte angazhuar Gramos Shabani.

Ai, sipas aktakuzës, kishte planifikuar sulm vetëvrasës në Belgjikë e Francë, në vendet e frekuentuara me qytetarë, ndërsa bashkëshortes së tij Edona Halitit i kishte bërë thirrje për sulm vetëvrasës ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

Edona Haliti akuzohet se është përfshirë në veprime të përgatitjes së sulmeve terroriste në Kosovë duke planifikuar të bëjë sulm vetëvrasës me materie eksplozive në automjet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Kosovë.

Financimi i grupit sipas aktakuzës

Prokuroria ka arritur të sigurojë prova se një shumë prej rreth 9 mijë eurosh ishte transferuar në Kosovë për të financuar grupin e dyshuar. Skema e tyre ishte që të përdornin fonde të IS-it për të financuar grupin.

Në dëshminë e tij Behrami thotë se financimin e ka bërë Abu Ahmed përmes personit A4, ndërsa paratë do të dërgoheshin nga ish-vendet sovjetike si Kirgistani, Rusia apo Uzbekistani. Në transaksionet e parave nuk përmendet se grupi kishte arritur të blinte eksploziv apo materiale të rrezikshme të cilat mund të përdoreshin për sulmet.

Plani për sulmin mbi kombëtaren e Izraelit

Behrami në deklaratën e tij ka thënë se e gjitha filloi në shtator apo tetor të vitit 2016, kur përmes rrjetit telegram nga llogaria e tij “Ebu Musab”, ka filluar të bisedoj me A1[1] i cili në atë kohë gjendej në Siri.

“Në atë kohë kemi biseduar për sulme me kallash apo me eksploziv dhe nuk kishim përzgjedhur ende caku, por kam kërkuar nga A1 që të më lidhë me Ridvan Haqifin dhe pasi që jam lidhur me Haqifin bisedat tona kishin të bëjnë me atë se ne u pajtuam se kishte me qenë mirë me i sulm izraelitët në ndeshjen që parashihej të mbahej më vonë atë vit”,  përshkruan aktakuza e Prokurorisë.

Ky sulm sipas Behramit fillimisht ishte planifikuar të kryhej me dron ndaj fansave të Izraelit dhe pastaj të vazhdohej me armë ‘Kallashnikov’.

“Unë këtë ide ja thash Ridvan Haqifit dhe ai më tha se duhet të shikohet mundësia përmes Lavdrimit duke vepruar në drejtim të njerëzve të gatshëm për t’u rekrutuar”, përshkruhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.

Për realizimin e këtyre planeve, Behrami para prokurorit ka thënë se ia kishte dhënë idenë edhe Lavdrim Muhaxherit.

“Në lidhje me sigurimin e parave për realizimin e sulmeve ndaj tifozëve dhe lojtarëve të Izraelit unë i kam dhënë idenë Lavdrimit, A1-shit, si dhe Ridvan Haqifit të cilët edhe i kanë siguruar paratë nga Abu Ahmed, shef i inteligjencës së ISIS”, përshkruan aktakuza e Prokurorisë Speciale.

Behrami më tej në deklaratën e tij ka përshkruar edhe strukturën e grupeve që do të duhej të kryenin sulmin.

“Sulmi është dashur të kryhet nga tri grupe, me nga tre apo katër persona. Ndërsa sa i përket personave të cilët kanë pas me kry sulmin unë nuk kam qenë i përfshirë në këtë çështje, por vetëm iu kam dhënë idenë, ndërsa Ridvani, Lavdrimi dhe A1 i kanë siguruar njerëzit dhe paratë për të kryer sulmin”, përshkruhet në aktakuzë deklarata e Bujar Behramit.

Planet për sulme në Kishat Ortodokse

Dëshmitë e Prokurorisë flasin se pas dështimit të grupit për të sulmuar kombëtaren e Izraelit grupi kishte zbuluar caqe të reje.

Kishat ortodokse ishin vënë në shënjestër, ndërsa grupi ishte vënë në kërkim të eksplozivëve të rrezikshëm në tregun shqiptar ku thuhet se ishte takuar edhe me një ish-epror të Ushtrisë Shqiptare.

Komunikimi me Lavdrim Muhaxherin dhe Ridvan Haqifin sipas Behramit kishte vazhduar deri në vrasjen e tyre në vitin 2017, ndërsa më pas komunikimi kishte vazhduar me personat A2 dhe A3 dhe komunikimi zhvillohej poashtu përmes rrjetit telegram.

“Ideja ime ishte që të bëhej sulm ndaj objekteve të fesë ortodokse për krishtlindjet e tyre. Fillimisht nuk kishte as mjete financiare e as njerëz për të bërë diçka. Unë në lidhje me këtë kam hulumtuar në internet se ku ndodheshin kishat e tyre dhe pastaj kam bërë hulumtime për helm të fortë e eksplozivë”, përshkruhet deklarata e Behramit në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Hulumtimet sipas Behramit ishin bërë përmes Wkipedia-s dhe Google ku ishin gjetur informacione në lidhje me eksplozivët.

“Më shumë kam bërë hulumtime në Wikipedia dhe Google ku gjetjet në lidhje me eksplozivët TNT, C4, RDX , TATP dhe helmet si Sarin, Tabun, Somat dhe Clorin ia kam përcjellur A2 dhe A3. Në lidhje me këtë A3 ka shkuar në Shqipëri për të gjetur eksploziv dhe materie helmuese”, përshkruhet deklarata e Behramit.

A2 i cili kishte shkuar në Shqipëri, sipas Behramit kishte gjetur eksplozivë që kushtonte deri në 1 mijë euro kilogrami, ndërsa e kishte pasur më të vështirë për të gjetur helme edhe pse për këtë ishte takuar me një ushtarak të lartë në Shqipëri.

Përveç materialeve, Behrami tha se ka kërkuar nga A2 që të siguroj persona të gatshëm për vetëflijim duke vendosur jelekë vetëvrasës. Ndërsa për të gjetur personat A2 kishte shkuar në Mitrovicë, Gjilan dhe Shqipëri, ndërsa pasi kishin pasur vështirësi në gjetjen e njerëzve, kishin edhe një ide interesante.

“Në lidhje me kryerjen e sulmeve, unë dhe A2 kemi planifikuar që t’i përfshijmë personat që ishin të dënuar dhe që ishin në pritje të përfundimit të vuajtjes së dënimit për terrorizëm. Plani për festën e pashkëve ka qenë i ngjashëm me atë të krishtlindjeve dhe sulmet parashiheshin të ndodhnin në Graçanicë, Mitrovicë, Pejë dhe Prizren”, përshkruhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Si duket edhe ky plan kishte dështuar në mungesë të njerëzve dhe si rrjedhojë plani ishte shtyrë për një festë tjetër serbe.

“Ideja për shtyrjen e sulmeve për ‘Vidovdan’ ka qenë e imja e A2 dhe Abu Ahmed, ndërsa unë gjatë asaj kohe kam filluar të tërhiqem nga ideja sepse Abu Ahmed ka kërkuar nga unë që sulmi të ketë përmasa të ngjashme me trazirat e marsit 2004. Ndërsa unë kam kërkuar që sulmi të jetë me përmasa të vogla”, citohet deklarata e Behramit në aktakuzë.

Bujar Behrami me nofkën Ebu Musab El –Albani, Resim Kastrati me nofkën Pc Habibi, Gramos Shabani, Albert Ademaj, Leotrim Musliu dhe Edona Haliti janë pjesë e aktakuzës  për terrorizëm.

Aktakuza  pretendon se Bujar Behrami dhe Resim Kastrati nga dhjetori  i vitit të kaluar e deri më 29 qershor të këtij viti kanë përgatitur sulme terroriste në Kosovë.

Madje, sipas aktakuzës, Bujar Behrami ka tentuar të krijoj grupin me emrin  ‘Ndihmëtarët e shtetit Islam në Tokën e Shqiponjave’, e që ky grup do të vepronte në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni për të përgatitur sulme terroriste.

Si lokacione të përzgjedhura për t’u sulmuar, sipas aktakuzës, ishin diskotekat “Kamboxha”, dhe “Insomnia”,  në Graçanicë si dhe Kisha Ortodokse afër kafenesë “Moskva” në pjesën veriore të Mitrovicës.

Për kryerjen e këtyre sulmeve, roli për furnizim me armë sipas aktakuzës i përkiste të akuzuarit Resim Kastrati i cili duhej të gjente armë zjarri dhe materie plasëse por edhe të gjente persona për vendosjen e jelekëve me eksploziv.

Për realizimin e këtyre planeve Prokuroria pretendon se i akuzuari Bujar Behrami ka pranuar gjithsej 9 mijë euro nga një person nga Gjermania me iniciale M.M. me qëllim të blerjes së armëve të zjarrit dhe eksplozivëve.

Për dallim nga dy të akuzuarit e parë, i akuzuari i tretë Gramoz Shabani sipas aktakuzës kishte cak Belgjikën dhe Francën ku synonte kryerjen e sulmeve terroriste në vende të frekuentuara me qytetarë. Shabani sipas aktakuzës mban edhe shtetësinë belge.

Duke vepruar sipas udhëzimeve të akuzuarit Gramoz Shabani, e akuzuara Edona Haliti sipas aktakuzës gjatë muajit maj dhe deri më 2 qershor 2018 është përfshirë në veprime inkriminuese të përgatitjes së sulmeve terroriste në Kosovë duke planifikuar të bëjë sulm vetëvrasës me materie eksplozive në automjet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Kosovë.

Dy të akuzuarit e fundit, Albert Ademaj dhe Leotrim Musliu akuzohen se nga muaji dhjetor 2017 e deri më 29 qershor 2018 edhe pse kanë pasur njohuri dhe kanë qenë të informuar se të pandehurit Bujar Behrami dhe Rasim Kastrari janë duke përgatitur sulme terroriste në Kosovë dhe duke qenë në kontakte të vazhdueshme me ta, nuk i kanë lajmëruar veprimet e tyre inkriminuese.