Seanca gjyësore ndaj Sadik Rashitit - Foto: KALLXO.com

Shtyhet Gjykimi Ndaj Mjekut Gjilanas

Seanca gjyqësore ndaj mjekut gjilanas Sadik Rashiti, i akuzuar për ushtrim ndikimi, është shtyrë meqë mungoi prokurorja e rastit, Dulina Hamiti.

Sipas aktakuzës së ngritur më 2014, Sadik Rashiti, i punësuar si mjek në Spitalin Rajonal të Gjilanit, e ka shfrytëzuar këtë pozitë dhe ka pasur ndikim te personat zyrtarë për regjistrimin e Skofiare Pirajt në Fakultetin e Mjekësisë në vitin akademik 2010/2011.

Në këtë proces si palë të dëmtuar aktakuza i konsideron Riad Rexhepin, Afrim Pirajn, Skofiare Pirajn dhe L. A.

Gjithmonë sipas aktakuzës, në mënyrë që ta realizojë regjistrimin e Skofiares nga babai i saj, Afrim Pira nga Vitia, i pandehuri kishte kërkuar 6,000 euro, të cilat edhe i kishte marrë.

Në aktakuzë thuhet se sipas deklaratave të Afrim Pirajt vërtetohet se Skofiarja nuk kishte marrë poenët e duhur në afatin e rregullt dhe ankesa e saj ishte refuzuar. Ajo ishte regjistruar vetëm në janar 2011, kur ajo e kishte marrë indeksin.

Prokuroria thotë se i pandehuri Rashiti edhe pas një viti, pra në vitin 2011, gjatë muajve gusht-shtator, ka përsëritur veprën penale të ushtrimit të ndikimit. Duke shfrytëzuar pozitën e tij ka ushtruar ndikim te personat zyrtarë për regjistrimin e Riad Rexhepit nga Vitia në Fakultetin e Mjekësisë, dega Stomatologji. I akuzuari Rashiti ka kërkuar dhe pranuar nga Rexhepi 5,000 euro.

Përpos akuzave për regjistrim në fakultet, Rashiti akuzohet se ka ushtruar ndikim edhe te profesorët e lëndëve Kimi Organike dhe Kimi Inorganike për dhënien e këtyre provimeve nga disa studentë.

Të dëmtuarit kanë pranuar t’i japin para në mënyrë që t’i kalojnë ato lëndë për ta fituar kushtin për vitin e dytë.

Sipas aktakuzës, Rashiti në nëntor të vitit 2011 ka kërkuar 2,000 euro nga L. A. nga Gjilani por më vonë ata ishin marrë vesh që këtë ta kryejnë për 1,800 euro.

Në të njëjtën periudhë, Sadik Rashiti akuzohet se ka kërkuar 2,500 euro nga studentja Skofiare Pira për të cilat thuhet se i ka marrë nga L. A.

Në aktakuzë theksohet se nga deklarata e Skofiare Pirajt para ngritjes së aktakuzës mund vërtetohet se ajo së bashku me shoqen e saj L. A. te Posta e Madhe kanë hyrë në veturën e të akuzuarit dhe i kanë dhënë atij 2,500 euro për kalimin e disa provimeve por më pas i akuzuari nuk ka mundur t’i kalojë provimet. Disa para i ka kthyer por 1,500 euro nuk ia ka kthyer të dëmtuarës Pira.

Në deklarimet para Policisë në vitin 2012 Rashiti kishte deklaruar se Skofiare Pirajn dhe L. A. e kishte njohur sepse i kishte pasur nxënëse në shkollën e mesme. Ai gjithashtu kishte thënë se nuk kishte kërkuar para nga i dëmtuari Riad Rexhepi për regjistrim të tij në fakultet.

Në seancat e kaluara i akuzuari është deklaruar se është i pafajshëm lidhur më këtë vepër për të cilën akuzohet ndërsa të dëmtuarit në deklarimet e tyre kishin thënë se nuk i kanë dhënë para të akuzuarit në shkëmbim të favoreve siç përcaktohet në aktakuzë.

Seanca e radhës u caktua të mbahet më 28 korrik.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast gjyqësor.

http://kallxo.com/policia-nuk-arrin-ti-gjeje-deshmitaret/

http://kallxo.com/deshmitaret-mohojne-deklaratat-e-dhena-ne-polici/