Pamje nga seanca e gjykimit për kanosje - Foto: KALLXO.com
Shtyhet gjykimi i të akuzuarit për kanosje të inspektorit
Në Gjykatën e Gjakovës ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore ndaj të akuzuarit Besnik Thaqi nga Xërxa e Rahovecit, i akuzuar për veprën penale të kanosjes.
Shkak i mosmbajtjes së kësaj seance ishte mungesa e të akuzuarit Besnik Thaqi.
Po ashtu, mungoi edhe dëshmitari Enis Thaqi, i cili bashkë me të akuzuarin në seancën e kaluar kishin përdorur fjalë fyese.
Të pranishëm ishin i dëmtuari Afrim Kuqi si dhe dëshmitari Beqir Zeneli.
Përderisa edhe prokurori i çështjes, Bajram Kryeziu, deklaroi se nuk ka kushte për mbajtje të seancës, e njëjta do të mbahet më 10 korrik.
Në seancën e kaluar ishte e pamundur të vazhdohet procedura, pasi që i akuzuari Besnik dhe dëshmitari Enis Thaqi, filluan fjalosjen me të dëmtuarin Afrim dhe dëshmitarin tjetër Beqir, të cilët me intervenim të sigurimit të Gjykatës u larguan nga salla.
https://kallxo.com/video-kercenime-ne-gjykate/
Sipas aktakuzës me datën 28 qershor 2016, në Zyrat e Inspektoratit komunal në Gjakovë, i pandehuri kanos seriozisht të dëmtuarin Afrim Kuqi nga Deçani, ashtu që pasi shkon në zyrën e tij i drejtohet me fjalët “mos më fut në burg”, “hiqe gjobën ose të hedh për dritare”, duke i shkaktuar frikë dhe ankth të dëmtuarit.
E gjithë kjo kishte ndodhur pasi që ankuesi me kërkesën e Policisë në detyrën zyrtare të tij si inspektor, kishte shkuar tek i pandehuri dhe pasi ka vërejtur parregullsi e kishte sanksionuar me gjobë prej 3.600euro, thuhet në aktakuzë.
Me këto veprime i akuzuari ka kryer veprën penale të kanosjes.
I akuzuari në deklaratën e tij në Prokurori kishte thënë se pas shqiptimit të gjobës nga inspektori i punës Afrim Kuqi, kam shkuar në zyrën e tij duke iu drejtuar me fjalët: “Çfarë veprimi keni bërë ju? A jeni normal dhe si shqiptohet kjo gjobë?” dhe më pas ia kishte hedhur tiketën duke i thënë: “Këtë tiketë nuk ta paguaj kurrë”.