Çekani i gjykatës - Foto: KALLXO.com

Shtyhet Gjykimi i 4 të Akuzuarve për Vrasjen në Gadime

Një angazhim zyrtar jashtë Gjykatës i gjyqtares Syzana Qerkini ka bërë që seanca për vrasjen e vitit 2012 në Gadime të Lipjanit, ku të akuzuar janë katër persona, të shtyhet për një datë tjetër.

Kryetarja e trupit gjykues Shpresa Hasaj-Hyseni njoftoi palët se për shkak të mungesës së anëtares së trupit gjykues seanca nuk mund të mbahet.

Hasaj-Hyseni njoftoi palët se seanca do të mbahet në muajin tetor.

Gjykata Themelore në Prishtinë në tetor të vitit 2014 i ka dënuar 4 të akuzuarit me 43 vjet e gjysmë burgim për vrasjen e R. Demirit në vitin 2012.

Prokuroria Themelore në Prishtinë akuzonte Arian, Mentor, Shpend dhe Xhezair Agushin se kanë kryer së bashku vrasjen e R. Demirit më 12 prill 2012 në fshatin Gadime e Epërme të komunës së Lipjanit.

Arian, Mentor e Shpend Agushi janë vëllezër, ndërsa Xhezair Agushi xhaxhai i tyre.

Pas ankesave të avokatëve mbrojtës, Gjykata e Apelit më 25 prill të këtij viti njoftoi se kishte kthyer në rigjykim këtë rast.

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë nga ky gjykim. Raportet mund t’i gjeni këtu.