Mbledhja e Bordit të ZRrE-së, Foto: Kallxo.com

Shtyhet edhe për një vjet liberalizimi i tregut të energjisë

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka votuar njëzëri për amandamentimin e Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike.

Anëtarët e Bordit kanë marrë vendim që të zgjatet edhe për një vjet afati i kalimit të konsumatorëve të kyçur në nivelin e tensionit 10 kV dhe 35 kV.  Ky afat do të zgjatet deri me 31 mars 2020 për konsumatorët e kyçur në nivelin e tensionit 35 kV dhe deri me 31 mars 2021 për konsumatorët e kyçur në nivelin e tensionit 10 kV.

Ky vendim është marrë pas kërkesave të shumta të konsumatorëve dhe odave që përfaqësojnë interesat e tyre si dhe me rekomandim të Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal.

U.D i kryesuesit të Bordit të ZRrE-së, Arsim Janova gjatë mbledhjes tha se bizneset qoftë direkt ose qoftë përmes odave kanë kërkuar kohë më tepër që të gjejnë furnizues.

“Ne jemi të vetëdijshëm që ky po shtyhet si proces por ne duhet t’i vlerësojmë rrethanat”, theksoi Janova.

Kurse drejtori menaxhues i ZRrE-së, Petrit Pepaj tha se furnizuesit e licencuar nuk kanë mundur të operojnë.

“Duke i parë shqetësimet që janë ngritur prej konsumatorëve dhe prej odave ekonomike. Ky udhëzues shtynë edhe për 1 vjet, kyqjen në 35 kw. Që t’ju jepet kohë dhe hapësirë për dialog me konsumatorë dhe odat ekonomike që të shihen rrugët e përbashkëta. Për një periudhë një vjeçare të shtyhet kyqja e konsumatorëve në treg të hapur”, shtoi Pepaj.

Bordi i ZRrE-së kishte marrë vendim për hapjen e tregut në janar të vitit 2017.

Më 11 mars të vitit 2019, Oda Ekonomike e Kosovës kishte mbajtur një konferencë lidhur me problemet dhe sfidat e sektorit privat në raport me energjinë elektrike.

Kryetari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi ishte shprehur se nëse deri me 1 prill nuk liberalizohet tregu i energjisë, shumica e bizneseve do të mbyllen.

Energjia elektrike mbetet ndër barrierat kryesore jo vetëm për koston edhe për furnizimin e rregullt. Në këtë fazë është menduar që do të kemi dy lëvizje që e ndihmojnë prodhuesin mirëpo për shkak të problemeve edhe këto dy alternativa nuk po mundësohen”, tha Rukiqi.

Ndërkaq, Astrit Panxha, kryetari i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, shprehu si shqetësim mohimin e të drejtës për vetëkonsum.

“Mohimi i te drejtës për vet konsum nuk ka logjikë pasi shumica e vendeve të rajonit investojnë mijëra euro në burime tjera të prodhimet të energjisë ndërsa në Kosovë me një vend të ZRRE-së u mohohet kjo, kjo pa asnjë të drejtë. Ne kërkojmë që urgjentisht të hiqet vendimi për liberalizimin e tregut së paku për një vit”, u shpreh Panxha.

Dy ditë më vonë, në 13 mars, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka reaguar ndaj deklarimeve të Odës Ekonomike të Kosovës në lidhje me ankesat e konsumatorëve, liberalizimin e tregut dhe kushtet e krijuara nga ZRrE.

Në reagimin e ZRrE-së thuhej se deklarimet e tilla nuk përkojnë aspak me realitetin sepse ZRrE deri më tani e ka dëshmuar se nuk ka zhvilluar asnjë proces rregullativ pa përfshirjen e të gjitha palëve. Sipas tyre të gjitha rregullat e ZRrE-së, para aprovimit i janë nënshtruar diskutimeve publike dhe janë publikuar në faqen e ZRrE-së, me qëllim të marrjes së komenteve nga të gjitha palët.

“Asnjëherë ZRrE nuk ka refuzuar të diskutojë me çdo palë aspektet rregullative, e në veçanti me konsumatorët. Të gjitha grupet e konsumatorëve por edhe konsumatorët individualisht, kanë mundësi , dhe ata e kanë shfrytëzuar këtë mundësi, për tu takuar me zyrtarët e ZRrE dhe në veçanti me Departamentin për Mbrojtje të Konsumatorëve”, thuhet në reagimin e ZRrE-së.

https://kallxo.com/bizneset-shkaku-i-mosfurnizimit-me-energji-kemi-humbur-rreth-300-milione-euro/

https://kallxo.com/zrre-reagon-ndaj-deklarimeve-te-odes-ekonomike-te-kosoves-per-liberalizimin-e-tregut/

.