Ilustrim: Poqi elektrik

Shtrenjtohet prodhimi i rrymës, gazit e avullit mbi 2%

Prodhimi i energjisë elektrike, gazit, avullit për kundër se pësuan një rënie të lehtë çmimesh në tre muajt e parë të sivjetëm në krahasim me tremujorin paraprak, ato ishin më të shtrenjta se periudha e njëjtë e vitit 2018-të.

Indeksi i tërësishëm i çmimeve të prodhimit në Kosovë pësoj rënie për -0.4 për qind në tremujorin e parë të këtij viti se te muajt e fundit të 2018-ës.

Sipas ASK-së, rënie më të mëdha sipas degëve të veprimtarive ekonomike vërehen te: nxjerrja e xehes së metalit -8.8 përqind; energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar -2.7 përqind; prodhimi i lëkurës dhe prodhimeve prej saj -1.6 përqind; grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë -1.5 përqind; prodhimi i pajisjeve elektrike -1.4 përqind; prodhimi i letrës dhe prodhimeve prej saj -0.6 përqind; dhe prodhimi i makinerisë dhe pajisjeve p.k.t -0.1 përqind.

Ngritja e çmimeve të prodhimeve ushqimore, makinerisë dhe mobilieve ndikuan në neutralizimin e çmimeve të produkteve që patën rënie.

“Rënia u neutralizua me ngritjen e çmimeve te: përpunimi i prodhimeve ushqimore (2.6%); prodhimi i produkteve të fabrikuara metalike, përveç makinerisë dhe pajisjeve (2.5%); prodhimi i mobilieve (1.8%); xeheroret dhe guroret e tjera (1.4%); prodhimi i drurit dhe i produkteve të drurit dhe të tapës, përveç mobilieve: prodhimi i artikujve nga kashta dhe materialeve të gërshetuara – thurëse (0.3%); prodhimi i produkteve kimike (0.2%); prodhimi produkteve të gomës dhe të plastikës (0.1%); dhe prodhimi i pijeve (0.1%). “, bën të ditur komunikata.

Çmimet më të shtrenjta për 1.8%

Ndërkaq, krahasuar tre muajt e parë janar-mars  të këtij me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, çmimet e prodhimit në Kosovë u ngritën në një mesatare prej 1.8 për qind.

Ngritje më të mëdha sipas degëve të veprimtarive  ekonomike vërehen te: prodhimi i produkteve minerale jometalike 6.0 për qind; përpunimi i produkteve ushqimore 5.7 për qind; prodhimi i makinerisë dhe pajisjeve p.k.t 4.6 për qind; prodhimi i mobilieve 4.2 për qind; energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar 2.4 për qin; prodhimi i pijeve 2.4 për qind; prodhimi i produkteve të gomës dhe të plastikës 1.3 për qind; prodhimi i metaleve 1.2 për qind; prodhimi i letrës dhe produkteve prej saj 0.6 për qind; dhe xeheroret dhe guroret e tjera 0.6 për qind.

Sipas njoftimit të ASK-së, rënia e çmimeve në nxjerrjen e metaleve dhe prodhimit të pajisjeve elektrike, kontribuuan në neutralizimin e çmimeve të produkteve që shënuan rritje.

“Ngritja u neutralizua me rënien  e çmimeve te: nxjerrja e xehes së metalit (-16.0%); prodhimi i pajisjeve elektrike (-8.4%); prodhimi i produkteve kimike (-2.6%); prodhimi i drurit dhe i produkteve të drurit dhe të tapës, përveç mobilieve: prodhimi i artikujve nga kashta dhe materialeve të gërshetuara thurëse (-1.8%); grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë (-1.5%); prodhimi i lëkurës dhe produkteve prej lëkurës (-1.4%); dhe prodhimi i mjeteve motorike (të transportit), rimorkiove dhe gjysmërimorkiove (-0.5%).”, njofton ASK

Këto të dhëna u publikuan nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka përmes raportit “Indeksin e Çmimeve të Prodhimit për tremujorin e parë (TM1) të vitit 2019.