Foto: Ilustrim

Shtiu me armë në drejtim të një veture, i dyshuari në arrati

Disa të shtëna me armë janë gjuajtur drejt një veture në të cilën gjendeshin tre persona.

Policia e rajonit të Prizrenit, me anë të një njoftimi ka thënë se gjatë ditës së djeshme në magjistralen e fshatit Lubizhdë ka ndodhur një tentim vrasje.

Sipas raporteve hetimore të policisë i dyshuari me inicialet B. K deri sa ishte duke lëvizur me veturën e tij nga Prizreni në drejtim të Suharekës, ka vërejtur veturën e viktimave të cilët po lëviznin në kahun e kundërt, më pas i dyshuari ka dalë nga vetura dhe ka shtënë disa herë me armë zjarri në drejtim të veturës tjetër.

Policia nuk ka raportuar për të lënduar, ndërsa shkaku i të shtënave një plumb ka shpërthyer gomën e veturës së viktimave.

I dyshuari B. K pas incidentit është larguar nga vendi i ngjarjes.

“Policia ka kryer hetime në vendin e ngjarjes; janë sekuestruar katër gëzhoja dhe një predhë plumbi”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia ka identifikuar të dyshuarin e më pas është kryer një bastisje në shtëpinë e tij por, nuk është gjetur për t’u arrestuar.