Paneli i diskutimit në Forumin për Drejtësinë Tranzicionale në Sarajevë. Foto: BIRN/Sven Milekiq.

Shtetet e Ballkanit ‘Pritet ta Nënshkruajnë Marrëveshjen për Komisionin e së Vërtetës’

Një koalicion që bën fushatë për krijimin e komisionit rajonal RECOM për gjetjen e fakteve të luftërave të viteve 1990 tha se shtete të ish-Jugosllavisë mund të nënshkruajnë në korrik një marrëveshje ku zotohen për mbështetjen nga ana e tyre.

Koalicioni për RECOM njoftoi të hënën se pesë shtete të Ballkanit Perëndimor – Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia – ka gjasa të nënshkruajnë një marrëveshje për të ngritur komisionin e ri rajonal në Londër në korrik.

Komisioni synon të përcaktojë faktet për krimet e luftës dhe shkeljet e të drejtave të njeriut në ish-Jugosllavi nga viti 1991 deri në vitin 2001.

Ana Marjanoviq Rudan e Koalicionit për RECOM tha në një ngjarje të Forumit për Drejtësinë Tranzicionale në Sarajevë se ngritja e komisionit është e rëndësishme sepse “gjetja e fakteve është një parakusht për parandalimin e manipulimit” të konflikteve të viteve 1990 për qëllime politike.

Nënshkrimi i pritshëm i marrëveshjes është pjesë e Procesit të Berlinit, projekti diplomatik i nisur nga Gjermania që synon të ndihmojë shtetet e Ballkanit Perëndimor për t’iu bashkuar BE-së.

“Ideja është që në takimin e ardhshëm në Londër në korrikun që vjen, shtetet nënshkruese të angazhohen të krijojnë një koalicion rajonal për gjetjen e fakteve,” tha Marjanoviq Rudan.

Presidentët e Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë “tashmë i kanë caktuar të dërguarit e tyre personalë për hartimin e kësaj marrëveshjeje midis shteteve”, shtoi ajo – një lëvizje që do të përmbushë objektivin e Koalicionit për kalimin e nismës nga shoqëria civile në nivel institucional dhe shtetëror.

Anëtari boshnjak i presidencës trepalëshe të Bosnjës dhe Hercegovinë ka emëruar gjithashtu të dërguarin e tij, por anëtari kroat dhe ai serb i presidencës nuk e kanë bërë ende këtë. Gjithashtu nuk është ende e qartë nëse Kroacia dhe Sllovenia do të bashkohen me nismën RECOM.

Edhe pse Procesi i Berlinit përqendrohet kryesisht në bashkëpunimin ekonomik, ai trajton çështje politike dhe probleme që kanë lindur nga konfliktet jugosllave.

Në takimin e fundit të Procesit të Berlinit të liderëve politikë nga rajoni në Trieste në korrik 2017, RECOM u përmend në mënyrë eksplicite si një mekanizëm i rëndësishëm për pajtimin rajonal.

David Hudson, një ekspert i lartë në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Europian për Negocimin e Fqinjësisë dhe Zgjerimit, tha për një panel diskutimi në Forumin për Drejtësinë Tranzicionale se pajtimi ishte një “indeks i pjekurisë politike”.

“A mund të sigurohemi që të shkojmë mirë me njëri-tjetrin? A jeni të rritur? A silleni si të rritur?” tha Hudson, duke ia drejtuar pyetjen e tij liderëve politikë në rajon.

Ai shtoi se Komisioni Europian nuk do të kërkonte pajtim në nivel personal, por më shumë në nivel politik dhe institucional.

RECOM do të hartojë një listë me emra të të gjithë njerëzve të vrarë, të zhdukur, të burgosur dhe të torturuar në të gjitha konfliktet në ish-Jugosllavi.

Koalicioni për RECOM filloi të mblidhte firma për mbështetjen e nismës në vitin 2011 në të gjitha kryeqytetet e republikave të ish-Jugosllavisë, si dhe në internet.

Ai i vuri si qëllim vetes të merrte një milionë firma dhe deri më tani ka marrë më shumë se 600,000.

Shënim: Gazetari i BIRN Sven Milekiq shkroi në një artikull të titulluar “RECOM si Parakusht për Bashkëpunimin Efikas të Rinisë që Çon në Pajtim” në një përmbledhje të publikuar nga Koalicioni për RECOM, “Pajtimi nëpërmjet Procesit të Berlinit: Roli i RECOM”.