Kryeministri, Edi Rama duke folur gjate nje seance parlamentare, ku 4 deputete nga lista e LSI jane betuar, pasi kane mare mandatin nga KQZ nje dite me pare. Foto - LSA

Shtatë deputetë të rinj hyjnë në parlament

Katër kandidatë nga listat e PD dhe tre nga ato të LSI-së pranuan mandatet dhe bënë betimin si deputetë të parlamentit të Shqipërisë të mërkurën më 13 mars 2019 në Tiranë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të deputetëve zëvendësues në njëmbëdhjetë. Në kuvendin e Shqipërisë vijojnë të mungojnë disa dhjetëra deputetë, procedura e zëvendësimit të së cilëve duhet të zgjasë disa javë.

Dy partitë kryesore opozitare, të cilat vendosën në shkurt të tërheqin deputetët e tyre nga kuvendi me synimin për të krijuar një krizë, duket se po vuajnë në përpjekje për të ruajtur radhët e veta.

Katër deputetë nga listat e Partisë Demokratike, Lefter Maliqi, Majlinda Halilaj, Alban Zeneli dhe Ligoraq Karamelo, bënë betimin të mërkurën. Karamelo, i cili renditej i gjashti në listën e Korçës, i përket partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, kryetari i së cilës është një nga deputetët e dorëhequr. PBDNJ dhe parti të tjera aleate të PD-së u lejuan të garojnë në listat e Partisë Demokratike në zgjedhjet e vitit 2017.

PD kishte 43 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë nga të cilët, 41 dhanë dorëheqjen ndërsa dy mbajtën mandatet. Numri i vakancave nga kjo parti mbetet 37 pas katër deputetëve të rinj. PD kishte 190 kandidatë në listat e veta në zgjedhjet e vitit 2017, ndërsa thotë se 139 prej tyre kanë firmosur deklarata se nuk do të marrin mandatet e lëna vakante. Duke marrë parasysh edhe numrin e deputetëve të dorëhequr, nga listat e PD duket se janë dhjetë kandidatë që nuk kanë firmosur deklarata. Por deklaratat nuk kanë vlerë ligjore dhe nënshkruesit e tyre mundet të ndryshojnë mendje deri sa t’u vijë radha.

Në rradhët e LSI-së gjërat duket se janë më të thjeshta. Shumë prej kandidatëve të saj nuk kanë humbur kohë për të pranuar mandatet e lëna vakante. Nga të 19 deputetët që LSI fitoi në zgjedhjet e vitit 2017, 17 lanë mandatet, njëri, Lefter Koka refuzoi të heqë dorë ndërsa një tjetër, Robert Bitri nga Fieri prej kohësh është bërë pjesë e grupit parlamentar të PS-së. Nga të 17 deputetët e dorëhequr, gjashtë janë zëvendësuar tashmë dhe së paku një tjetër, Ralf Gjoni, ka shprehur zyrtarisht dëshirën për t’u bërë deputet.

Formalisht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton kandidatët në radhë, të cilët kanë dhjetë ditë kohë për të plotësuar formularin e pastërtisë së figurës. Në rast se ata nuk e plotësojnë formularin, KQZ i shpall të pazgjedhshëm. Vendimet e para të tilla u morën të martën. Gjithsej 11 kandidatë të njoftuar nga PD dhe 3 nga LSI u shpallën “të pazgjedhshëm”, gjë që nënkupton se refuzuan të dorëzojnë formularin e dekriminalizimit dhe rrjedhimisht edhe mandatin e deputetit.