ShSKUK: Gani Bajraktari nuk është larguar për hakmarrje

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës thotë se nuk qëndrojnë pretendimet e kardiologut Gani Bajraktari se ai është larguar nga puna për qëllime të hakmarrjes.

“E vërteta është se ai është larguar nga puna për mos-ofrim të ndihmës mjekësore, që sipas legjislacionit në fuqi klasifikohet si vepër penale”, thuhet në përgjigje e ShSKUK-së për KALLXO.com.

Sipas Shërbimit Spitalor ka pasur ankesë të paraqitur dhe mjeku ishte arsyetuar se rasti ishte i rëndë dhe duhej të trajtohej në spitale private, edhe pse ky shërbim ofrohet 24 orë në QKUK.

“Poashtu, në vazhdimësi janë pranuar ankesa nga pacientët dhe familjarët e tyre, se i njëjti ka referuar pacientë të tjerë në institucione shëndetësore private, pra në spitalin privat ku ai punon”, thuhet tutje në përgjigjet e ShSKUK-së për KALLXO.com.

ShSKUK pretendon se posedon prova dhe dëshmi nga pacientët që mjeku ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimeve materiale.

Nga ana tjetër, doktori Gani Bajraktari thotë se gjithë kjo është bërë për shkak të studimit të tij që sipas tij provon se ndarja e Kardiologjisë Invazive nga Kardiologjia dhe bartja e saj te Kardiokirurgjia ka ndikuar që për 15 përqind të rritet numri i vdekjeve brenda spitalore nga infarkti.

Largohet përkohësisht nga puna Kardiologu Gani Bajraktari

.