Shqiptaro- Britanikët e Duan Mbretërinë Brenda BE-së

Votuesit në Britaninë e Madhe janë duke votuar sot në referendumin për mbetjen ose jo të vendit të tyre në bashkimin Evropian, ndërsa shumë kosovarë që jetojnë në Londër janë në ethet e pritjes së re

Rrjetet sociale kanë vluar gjatë ditës me kosovarë që u bëjnë thirrje bashkëkombësve të tyre me shtetësi britanike të dalin të votojnë “pro” qëndrimit të Britanisë së madhe brenda Unionit Evropian.

I ardhur si një premtim i kryeministrit aktual David Cameron, referendumi për të ardhmen e Britanisë brenda apo jashtë Bashkimit Evropian u aktualizua muajve të fundit.

Përderisa Cameron ka kërkuar votën për qëndrim në BE, politikani konservator dhe ish- kryebashkiaku i Londrës Boris Johnson, ka lansuar fushatën Brexit, me të cilën kërkon nga britanikët të votojnë për largimin e Mbretërisë nga BE.

Por shqiptarët që jetojnë dhe kanë bërë karrierë brenda ishullit kanë mendim ndryshe.

Njëri nga ta është Përparim Rama, arkitekt me origjinë nga Kosova, që ka bërë karrierë profesionale në Londër.

Ai ka thënë sot për KALLXO.com se ka përshtypjen që shqiptarët që jetojnë në Britani të Madhe e mbështesin qëndrimin në unionin 28 anëtarësh.

“Arsyet janë të shumta, mirëpo aspekti kryesor është mundësia e lëvizjes së lirë kudo në BE, qasja në më shumë se 500 milionë njerëz për bizneset e ndryshme, impakti pozitiv i lidershipit të Mbretërisë së Bashkuar në zhvillimin e BE-së edhe në të ardhmen”, tha arkitekti Rama.

Arsye tjetër, sipas tij, është edhe fakti që Mbretëria e Bashkuar llogaritet të jetë ndër aleatet më të mëdha të Kosovës e Shqipërisë brenda Bashkimit Evropian “dhe ka impakt të jashtëzakonshëm në shtetet tjera për përkrahjen tonë”.

Inxhinieri i softuerit, Januz Kurshumlija, thotë se në referendumin e sotëm ka votuar për qëndrimin e Brtianisë së Madhe në Bashkimin Evropian.

Ai shprehet se ka shumë diskutime brenda shqiptarëve në grupe private të rrjeteve sociale për këtë çështje.

“Po frikësohemi mjaft, se mos po del (nga BE). Nëse po, atëherë pasojat (recesion për nja 10 vjet, ekonomia, funta) do të jenë të mëdha. Nga ana tjetër, Rusisë e Serbisë i konvenon me u shpartallu BE. Po i kryqëzojmë gishtat”, tha Kurshumlija për KALLXO.com.

Qëndrim të tillë ka edhe Daut Dauti, një kosovar me shtetësi britanike, i cili në vitet 2006- 2007 ka qenë edhe zëdhënës i Qeverisë së Kosovës.

Në një prononcim për KALLXO.com, Dauti tha se numri i votuesve shqiptarë në Britani të Madhe nuk dihet saktësisht “por nuk është për t’u injoruar”.

“Prandaj, ata sot, të gjithë duhet të dalin në referendum dhe të votojnë për qëndrim në Union Evropian”, tha ai.

Dauti tha se asnjë ‘fakt’ i fushatës Brexit nuk duhet ta bindë qytetarin britanik/shqiptar për ta mbëhstetur kauzën e tyre.

“Vështirësimi i qarkullimit të njerëzve dhe mallrave është një fakt që shqiptarët i dëmton më së shumti. Një fakt tjetër, ndoshta më i madh se këto dy që u përmendën më lartë, është vështirësimi i pozitës së imigrantëve çfarë janë shumë njerëz, përfshirë edhe shqiptarët numri i të cilëve me siguri kalon shifrën 100 000, në këtë shtet”, tha Daut Dauti.

Por mbi të gjitha, sipas tij, qëndron humbja e influencës britanike në Evropë dhe në botë nëse pason dalja nga Unioni Evropian.

“Britani e Madhe, me politikën e saj mjaft pozitive ndaj Ballkanit dhe të favorshme ndaj shqiptarëve, do të zbehej dukshëm. Pra, dalja nga Unioni nënkupton largimin e Britanisë nga procesi kolektiv vendimmarrës në Evropë. Nga kjo, shqiptarët në Ballkan do të humbnin një përkrahje të rëndësishme dhe kjo nuk është në favor të tyre”, u shpreh ai.